Ende nuk dihet se kur do të fillojë faza përfundimtare e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, e cila është paralajmëruar të përfundojë me një marrëveshje ligjore të detyrueshme.
Nuk dihet se kur të do të nisë faza përfundimtare e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e që është paralajmëruar të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm apo eventualisht në fund të këtij viti.
Sa i përket nivelit teknik, pala kosovare thotë se mund të ketë takime vetë sa për të diskutuar rreth implementimit të marrëveshjeve të deritanishme.
Ndërsa deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe analistët thonë se faza finale duhet të arrihet nga konsensusi politik në vend dhe se duhet të krijohet një platformë për vazhdimin e dialogut.
Shef i delegacionit kosovar në Bruksel Avni Arifi ka bërë të ditur për “Zërin” se ende nuk është caktuar ndonjë afat zyrtar se kur do të fillojë faza e radhës e dialogut Kosovë – Serbi.
“Ende nuk është caktuar asnjë datë se kur do të zhvillohet takimi i radhës mes të dyja vendeve. Në takimet e ardhshme nuk ka çka tjetër të bisedohet përveçse implementimi i marrëveshjeve të paimplementuara, vetëm pala serbe ka për të implementuar, ne nuk kemi asnjë implementim me vetë faktin që ne kemi dhënë urdhër ekipit menaxherial që të hartojë draftin e Asociacionit të Komunave Serbe. Pra, sa i përket kësaj marrëveshjeje ne jemi në rrugëtim e sipër”, ka thënë Arifi.