FBI-ja ka identifikuar një të dyshuar për vrasjen e oficerit të policisë Brian Sicknick në dhunën që shpërtheu në Kongresin Amerikan në fillim të janarit.
CNN raporton se oficeri i ndjerë ishte lënduar nga një spërkatje e përdorur nga turma gjatë dhunës në Kongres dhe se ky mund të jetë sulmi që ka çuar në vdekjen e tij. Sipas këtyre të dhënave, rasti pritet të jetë i vështirë për organet e hetuesisë dhe se nuk është e qartë se çfarë akuza do të ngrihen rreth vdekjes.
Ndërkohë, në një komunikatë të lëshuar të premten, policia e Kongresit ka bërë të ditur se raporti i mjekësisë ligjore për vdekjen e Sicknick nuk është përfunduar ende.
“Jemi duke pritur rezultatet e helmimit dhe po vazhdojmë të punojmë me agjenci të tjera qeveritare rreth hetimit të vdekjes”, thuhet në komunikatë.
Edhe New York Times kishte raportuar se hetuesit tashmë kanë identifikuar një të dyshuar mirëpo duhet ende kohë që të identifikohet ai me emër.
Më 6 janar mbështetësit e ish-presidentit amerikan Donald Trump kishin hyrë dhunshëm në ndërtesën e Kongresit duke shkaktuar kështu trazira prej të cilave pati edhe të vdekur. Kjo kishte ndodhur vetëm pak javë para se të zhvillohej ceremonia e inaugurimit të Joe Bidenit si president i ri i SHBA-së, më 20 janar.