FBI paralajmëroi protesta të mundshme të armatosura në të gjithë Shtetet e Bashkuara, përpara inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden, më 20 janar.
Agjencia federale e zbatimit të ligjit tha se “protestat e armatosura” mund të planifikohen në të 50 kryeqytetet e shteteve dhe në ndërtesën e Kongresit, nga data 16 janar deri së paku më 20 janar.
Në shumicën e shteteve, me përjashtim të Uashingtonit, mbajtja hapur e armëve është e ligjshme.
Paralajmërimi vjen derisa Uashingtoni dhe legjislaturat e shteteve janë duke rritur sigurinë, pas dhunës së turmave, javën e kaluar në Kongres.
Pesë njerëz kanë vdekur gjatë sulmit në Kongres, pasi presidenti Donald Trump i ka nxitur mbështetësit me pretendime të pabazuara për mashtrime në zgjedhje.
FBI po ashtu tha se ka marrë informacione për një grup që u bën thirrje të tjerëve të “sulmojnë” ndërtesat e gjykatave shtetërore, lokale dhe federale dhe ndërtesat administrative, nëse Trump hiqet nga detyra para përfundimit të mandatit të tij.
Sipas paralajmërimit që kanë siguruar rrjetet ABC News dhe CNN, grupi kërcënon t’i “sulmojë” ndërtesat qeveritare në të gjithë vendin, edhe në ditën kur Biden inaugurohet.
Dhoma e Përfaqësuesve, e cila udhëhiqet nga demokratët, synon të nisë gjykimin e presidentit Trump gjatë kësaj jave, nëse nënpresidenti Mike Pence dhe kabineti nuk e përdorin autoritetin kushtetuese për ta larguar atë nga zyra ose për ta nxitur të japë dorëheqje.
Biden tha të hënën se nuk ka frikë të bëjë betimin në shkallët jashtë ndërtesës së Kongresit, që është vendi tradicional për ceremoninë e betimit.
Pas kësaj, Biden pritet të marrë pjesë në një ceremoni të vendosjes së kurorave, së bashku me ish-presidentët Barack Obama, George W. Bush dhe Bill Clinton, për të shprehur mesazhe uniteti.
Trump ka thënë se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit – një vendim që presidenti i zgjedhur e ka mbështetur. Pence, në anën tjetër, ka thënë se planifikon pjesëmarrjen.
Në përgjigje të shqetësimeve për dhunën, Trump lëshoi të hënën mbrëma një deklaratë emergjente për kryeqytetin. Deklarata e lejon Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave të koordinohen me autoritetet lokale sipas nevojës. Deklarata do të jetë në fuqi deri më 24 janar.
Ndërkohë, ushtruesi i detyrës së sekretarit për Sigurinë e Brendshme, Chad Wolf, dha papritur dorëheqje nga udhëheqja e organit përgjegjës për sigurinë e inaugurimit, më 20 janar.
Wolf, i cili tha se largohet për arsye procedurale, emëroi Pete Gaynorin, administratorin e Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave, për ta zëvendësuar atë. Wolf nuk përmendi në dorëheqjen e tij ngjarjet që kanë të bëjnë me rrethimin e Kongresit.
Në një tjetër zhvillim, Garda Kombëtare u autorizua të dërgojë deri në 15,000 trupa në Uashington, për të forcuar sigurinë për inaugurimin.
Kryetarja e Uashingtonit, Muriel Bowser, gjithashtu kërkoi që Departamenti i Brendshëm i SHBA-së t’i anulojë lejet e tubimeve publike deri më 24 janar.
Ajo u bëri thirrje amerikanëve që t’i shmangin udhëtimet në Uashington për ceremoninë e inaugurimit.
Trump nuk ka bërë asnjë deklaratë publike prejse është bllokuar nga disa platforma të mediave sociale – përfshirë Twitter – të premten e kaluar.