Të enjten do të firmoset marrëveshja derisa javën e ardhshme do të tërhiqet shorti për Ligën Unike të basketbollit mes Kosovës dhe Shqipërisë që do të bëjë debutimin në edicionin 2020/21.
Në Tiranë do të firmoset marrëveshja katërvjeçare për Ligën Unike që do të përbëhet prej tetë ekipeve, katër të Kosovës dhe katër të Shqipërisë. Në këtë ceremoni krahas dy kryetarëve të federatave, pritet të jenë të pranishëm edhe dy ministrat e sportit dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, ka thënë se ndeshjet e Ligës Unike fillimisht do të zhvillohen pa shikues dhe testet do të bëhen para çdo ndeshjeje, kurse lojtarët që dalin pozitivë do të izolohen.
“Udhëzuesin e kemi gati, vetëm po presim firmosjen e marrëveshjes dhe tërheqjen e shortit që do të bëhet javën tjetër”, ka thënë ajo. “Liga fillon në fund të tetorit dhe do të ngjallë shumë emocione për shkak se është një projekt i madh. Klubet janë të gatshme për të qenë pjesë e kësaj lige që do të zyrtarizohet të enjten”.