Federata angleze kundër FIFA-s lidhur me dënimin e Chelseat, seanca në qershor

Prishtinë | 13 Maj 2020 | 14:45 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit e Anglisë e ka ngritur një padi ndaj FIFA-s lidhur me dënimin që i ishte dhënë Chelseat – duke mos e lejuar të transferojë lojtarë gjatë afatit kalimtar. Seanca gjyqësore do të mbahet verën e ardhshme.

Pasi Chelsea arriti suksesshëm ta përgjysmojë dënimin e vendosur nga FIFA verën e kaluar, tani Federata e Futbollit e Anglisë do ta vazhdojë betejën ligjore kundër FIFA-s pasi që seanca gjyqësore në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv është vendosur më 26 qershor.

Chelsea ishte dënuar me një gjobë dhe ishte vendosur të mos lejohej të transferojë lojtarë për dy afate kalimtare, mirëpo apelimi i suksesshëm i klubit e kishte përgjysmuar këtë dënim në vetëm një afat kalimtar.

Gjiganti anglez dhe Federata e Futbollit ishin gjobitur të dyja nga FIFA për shkeljen e të drejtave lidhur me transferimet ndërkombëtare dhe regjistrimin e lojtarëve nën moshën 18-vjeçare.

FIFA ia kishte dhënë Federatës së Futbollit të Anglisë gjashtë muaj kohë për ta adresuar problemin lidhur me këto shkelje, përderisa Federata angleze e kishte bërë të qartë se dëshiron ta vazhdojë betejën ligjore, pasi që dëshiron t’i adresojë të gjitha problemet e përmendura në këtë rast.

Tani seanca gjyqësore do të zhvillohet përmes një video-konference ose përmes deklarimeve të shkruara.

Të ngjashme