Federata e Policia gati për Gjysmë-Maratonën “Prishtina 2018”, pjesëmarrës rreth 1000 garues

Prishtinë | 28 Pri 2018 | 13:06 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Këshilli Organizues i Gjysmë-Maratonës “Prishtina 2018” ka mbajtur një konferencë për medie, ku ka bërë të ditur se është gjithçka gati për gjysmë-maratonën e nesërme, e cila fillon prej orës 10:00.

Edhe Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka marrë të gjitha masat që të garantojnë siguri në këtë garë. Në konferencë u tha se pritet të marrin pjesë rreth 1000 garues, raporton Ekonomia Online.

Në konferencë morën pjesë e dy garues kenainë, të cilët kanë u vlerësuan si favoritë për të fituar garën.

Fondi i shpërblimeve do të jetë 14 mijë euro, ndërsa shpërblimi më i lartë do të jetë 1200 euro te meshkujt dhe femrat. Deri tani janë shpërblyer 8 vendet e para, ndërsa këtë edicion risi do të jetë shpërblimi i 10 vendeve të para.

Shtegu i garës do të jetë: Teatri Kombëtar, Hoteli “Grand” – Katedralja – Rruga për Obiliq – Autostrada Mitrovicë-Prishtinë – Stacioni i Autobusëve – Rrethi i Flamurit – Rruga nga AAK-ja – Teatri Kombëtar.

Kryetari i Federatës së Atletikës, Halil Sylejmani, tha se duan që këtë gjysmë-maratonë ta shndërrojnë edhe në një lloj festivali të bukur në kryeqytet. Sylejmani u ka bërë thirrje edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të marrin pjesë në këtë garë.

“Që nga viti i kaluar kemi filluar përgatitjet për këtë gjysmë maratonë. Kemi ftuar shumë personalitete që të jenë pjesë. Federata për këtë gjysmë maratonë ka siguar mjete që të paguajë mbi 14 mijë euro shpërblime. Kemi shumë garues, përpos gjysmë maratonë, do të jetë edhe festival i bukur në kryeqytet. Duam të bëjmë risi, të shohim gjëra që ta bëjnë më interesant. Një ditë këtë gjysmë-maratonë do ta shndërrojmë në maratonë. Mirë është që të vijnë edhe deputetët, do të ishte garë e mirë”.

Nazmi Zogaj, toger në Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se do të mbyllën për qarkullim rrugët nëpër të cilat vrapojnë sportistët, për të krijuar ambient më të sigurt për ta. Ai ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët dhe u ka bërë thirrje atyre që të shfrytëzojnë rrugët alterntive.

“Drejtoria rajonale e Policisë në Prishtinë ka marrë të gjitha masat për këtë gjysmë-maratonë. Do të bëhet mbyllja e rrugëve ku lëvizin sportistët. Mbyllja bëhet për ambient më të sigurt për sportistët. Kerkojmë ndjesë nga qytetarët për rrugët e mbylluara. Do të ofrojmë siguri që të mos ketë asnjë problem dhe gara të shkojë sa më mirë që është e mundshme. Kërkojmë që qytetarët të shfrytëzojnë rrugët alternative”.

Garuesja nga Kenia, Christine Mora Oigo, e cila merr pjesë për herë të parë, është shprehur optimiste se do të mbyllë garën në mënyrën më të mirë.

“Është hera e parë që jam në Kosovë, do të bëjmë më të mirën që të mbyllim garën në mënyrën më të mirë. Shpresoj që edhe në të ardhmen të ftohemi dhe të marrim pjesë”.

Garuesi tjetër nga Kenia Abel Kibet Rop, tha se synon që të përfundojë garën për 1 orë e 2 minuta, duke tentuar të thyejë rekordin prej 1 orë e 3 minuta e 27 sekonda, i cili mbahet që nga viti 2006 nga një bashkëvendas i tij.

“Ështe hera e dytë që marrë pjesë. Në vitin 2014 ka qenë për herë të parë. Synimi është që të përfundojë garën për 1 orë e dy minuta, pasi rekordi qe dhjetë vite është 1 ore e 3 minuta”.

Anëtari i Bordit të Federatës së Atletikës, Adrian Mazreku, tha se sivjet pritet konkurrencë me e fortë.

“Moti pritet te jetë me i mirë, do të ulet temperatura për pak gradë. Do të jetë konkurrencë më e fortë se viteve të kaluara. Pritet të kemi rekord të ri te meshkujt dhe te femrat.

Disiplina kryesore do të jetë gara 21 kilometra, ndërsa disiplina të tjera do të jenë vrapimi 5 kilometra, vrapimi për fëmijë, vrapimi i personave me aftësi të kufizuara.

Në konferencë u bë e ditur se gara do të transmetohet në dy ekrane led, dhe në format të ri televiziv.

 

Të ngjashme