Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka nisur ta kryejë punën e saj në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Të enjten në stadiumin buzë lumit Ibër, kompania “Philips” e kontraktuar nga FFK-ja, ka nisur vendosjen shtyllave për ndriçim, shkruan sot Koha Ditore.
Por pjesa tjetër e punëve për të cilat është zotuar se do t’i kryejë Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit ende nuk ka nisur. Në MKRS thonë se punët që i takojnë asaj, do të nisin javën e ardhshme.
Kosovës i kanë mbetur edhe rreth 50 ditë për ta shndërruar “Adem Jasharin” në një stadium që i plotëson kriteret minimale të kategorisë së dytë, ku klubet kosovare do të mund t’i zhvillonin ndeshjet kualifikuese për Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës, gjithnjë nëse edhe ato i plotësojnë kriteret e tyre për të marrë licencën nga UEFA për gara.
Vlera totale e rinovimit të stadiumit “Adem Jashari” është thënë të jetë rreth 1.7 milionë euro. MKRS-ja do t’i ndajë rreth një milion euro, kurse FFK-ja rreth 700 mijë.