Përfaqësuesit e Federatave të sportit të Kosovës, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës më shumë përkrahje financiare. Ata kërkuan që 10 përqindëshi aktual sa është për sponzorizim të bëhet 30 përqind nga tatimi në fitim, gjë e cila, sipas tyre, mjafton për komunitetin e sportit.
Këto kërkesa i paraqitën anëtarëve të Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, gjatë dëgjimit publik lidhur me Projektligjin nr. 05/L-090 pёr Sponsorizime dhe Donacione në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.
Diskutimet u koncentruan tek neni 12, që ka të bëjë me zbritjet e lejuara. Lidhur me këtë, pjesëmarrësit kërkuan sqarime nga Ministria e Financave, ndërkaq, vlerësuan se ky nen duhet të jetë më i qartë dhe më i kuptueshëm për komunitetin sportiv dhe të biznesit.
Kryetari i këtij komisioni Nait Hasani tha se të gjithë ata që kanë mundur ta shikojnë kampionatin Evropian, kanë mundur të shikojnë edhe çfarë investime janë bërë në sport.
“Ne jemi pjesë e federatave të futbollit, UEFA-s dhe FIFA, nëse ne nuk hyjmë në këtë fushë, t’i plotësojmë ato standarde kot themi se do të jemi pjesë e një zhvillimi dashamirësie. Nëse ne duhet ta qojmë sportin përpara inatet duhet t’i zbusim”, ka thënë ai.
Leart Hoxha, Sekretar i Federatës së Basketbollit të Kosovës, ka thënë se nëse nuk miratohet ligji, “rrezikojmë që t’i kemi dy sezone të cilat na planifikojmë që të harxhojmë shumë mjete edhe sërish do të tentojmë që shtetin ta kemi donator kryesor pikërisht të një ligji për sponsorizim, nëse është 30 për qind e tatimit në fitim, shkalla e lirimit të gjithë përfaqësuesit e federatave të mëdha janë të kënaqur me këtë punë dhe inkurajojmë fuqishëm deputetët që ta procedojnë në këtë mënyrë”
Përfaqësues të MF-së, paraqiten sqarimet dhe mundësitë buxhetore, që ky Ligj të gjejë zbatim në praktikë.
Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka theksuar se janë vetëm 8.7 milionë euro nga Buxheti i Kosovës të destinuara për sport dhe se ka nevojë të menjëhershme që të ketë mbështetje edhe në forma tjera, siç është forma e Ligjit për sponzorizime.
“Qeveria e mirëpret dhe e përkrah një ligj të tillë, ligji që përcakton zbritjet e lejuara në kuptimin e sponsorizimit janë ligjet bazike që kanë të bëjnë më ATK, edhe me ligjin për të ardhura dhe ligjin për korporata”, ka thënë Krasniqi.
Komisioni kërkoi nga të pranishmit që vërejtjet e tyre t’ia paraqesin me shkrim anëtarëve të Komisionit, të cilët në mbledhjet e radhës do të shqyrtojnë dhe amendamentojnë nen për nen këtë projektligj.