“Federatën e mbajnë klubet, fushat sintetike janë kancerogjene për fëmijë”

Prishtinë | 01 Maj 2020 | 20:56 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, njëherit njëri prej donatorëve më të mëdhenj në futbollin e Kosovës, është rrëfyer në lidhje me situatën e fundit në futbollin tonë.

Së fundmi, Federata e Futbollit të Kosovës ka qenë cak i kritikave të shumta nga disa klube elitare për shkak të neglizhencës për mbështetje në këtë periudhë pandemie.

Në vend të kësaj, FFK-ja ka zgjedhur të investojë në fusha me bari sintetik, të cilat sipas Ejupit, janë duke u larguar në Gjermani.

Tutje, ai ka komentuar edhe vendimin e Gjykatës së Apelit ndaj Agim Ademit, për të cilin thotë se duhet të largohet nga posti i kryetarit të FFK-së, raporton Zeri.

Image

“E kam përcjell shqetësimin e klubeve për këtë temë. FC Prishtina është e shqetësuar sidomos me vendimin e Gjykatës për dënimin e Agim Ademit”, tha fillimisht Ejupi në RTK.

“Ai duhet t’i hapë rrugë instuticioneve, kemi pasur raste të tilla edhe në UEFA dhe FIFA”, tregon më tej presidenti i FC Prishtinës, duke shpalosur pakënaqësitë për neglizhencën e FFK-së ndaj klubeve kosovare:

“Ne nuk kemi marrë as mjetet e solidaritetit. Nuk i kuptoj tolerimet e Komitetit Ekzekutiv. Thuhet se ka keqpërdorime, ku kanë shkuar ato mjete?”.

Tutje, duke folur për fushat sintetike, ku FFK po investon tani, Ejupi thotë se ‘janë kancerogjene për fëmijë’.

“Sa i përket investimit në fusha sintetike, duhet ndalur këto punë, madje këto po hiqen në Gjermani. Janë kancerogjene për fëmijë. Futbolli nuk varet nga një njeri. Nuk është pasqyrë e mirë për futbollin e Kosovës”, vlerëson Ejupi, njëherit pronar i kompanisë ajrore “Eurokoha”.

“Federatën e mbajnë klubet, dhe jo një njeri. Andaj, duhet të jenë sa më afër klubeve sa më shumë mundësi që kenë”, shtoi ai. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme