Libri me poezi për fëmijë “Piktori i Qiellit” dhe i librit me poezi për të rritur “Dashuri e Qelqtë”, të autorit Fehmi Pireva, janë promovuar sot në Institutin Albanologjilk të Kosovës.
Autori i këtyre librave, Fehmi Pireva, falënderoi pjesëmarrësit dhe tha se prezenca e tyre është motivim për punën e tij të mëtutjeshme, raporton Ekonomia Online.
“Është nder për mua prezenca juaj dhe është motivuese për punë të mëtutjeshme”, tha Pireva.
Atdhe Hykolli, kritik letrar, e ka vlerësuar lart veprën “Dashuri e Qelqtë”.
“Veprën “Dashuri e Qelqtë” e konsideroj si vepër brumore me virtyte të larta njerëzve”.
Ndërsa për librin me poezi për fëmijë “Piktori i Qiellit”, tha se shquhet për larmishmërinë e temave në botën e njerëzve.
“Vepra bëhet me elemente joshëse për fëmijë dhe renditja e tyre është në formë jetike dhe shquhet për larmishmërinë e temave, për botën e fëmijëve”
Naile Demiri, recensente, tha se në këto libra autori ka shprehur idetë dhe shqetësimet e shqiptarit të pasluftës së Kosovës.
“Motivi i kryesor i poetit është të shprehurit e shqetësimeve të tij që padyshim ka lindur dhe është shfaqur si rezultat i ndryshimeve të mëdha shoqërore. Më pas motivi kryesor ka shkaktuar motive tjera duke formuar një varg motive statike të cilat flasin ndryshe, ndryshe për tema të njëjta”, tha Demiri.
Ajo shtoi se temat janë me motive atdhedashurie, morale e shoqërore si dhe respektimi i vlerave njerëzore. Sipas saj, autori insiston për ruajtjen dhe kultivimin e këtyre vlerave.