Prishtina në dimër

Prishtinë | 15 Dhj 2022 | 16:41 | Nga Ekonomia Online

(Poezi nga Fehmi Pireva)

Prishtina nuk rri pa dimër
U rrit në dimër dhe furtunë,
Ti mund të shkruash libër
Asaj dot nuk i prish punë.

Rrokaqiejt (ndonëse ngadalë)
Kanë ngritur kryet mbi luginë,
Me sy shohin larg horizontin
Kur bën vapë dhe ne ngrijmë.

Dhe poshtë saj, zyre nga qelqi
Bëhet vendim: s’ka kurrupsion!
Sa bukur flet edhe më i “keqi”
Thonë toka poshtë si e duron!?

Në shesh enden të papunët
Të pagjumë, ju iku nata,
Me krenari ecin, me zë flasin
Nëpunës, ministra me kravata.

Shkëputën fuska bore larg
Shkund supet, Skënderbeu në fron,
Arritën kërshëndellat, në prag.
A ka para për festë, kush feston?

Prishtina ka ethe nga bisedimet
Vjen thonë një plan, mat e ç’mat,
I pari më i mirë a mos ishte…?
Mbrapshtë kthehen ca diplomatë.

Sikur harruam a bëmë shtet?
Në furtunë të shpallëm: “o pavarësi!”
Njerëzit flasin: keq ku na mbet…?
Dialog dimri, kërkohet me Serbi…!

Diçka e pamundur ta harrosh
Elbasançe, dëgjoni, i njëjti refren,
I bie klarinetës një mesoburrë
Kurrë liri s’ka pasur për shumë qen?

Prishtina shikon punët e veta
E rritur mes zhurme, pa trafik,
Sikur thotë: të shpëtohet Kosova!
Në liri dhe paqe jetojmë me rrezik!

Në prag të kërshëndellave
Në kafe “Martini”, ndërtesa si mal,
I lutëm Zotit, ndoshta më dëgjon
Pi verë për Prishtinën, një gotë kristal…

Pi për mendjekrisurit, të çmendurit
O, këta janë shumë…mendjebosh!
Ca të mençur u lodhën së ngarenduri
Ua kërkojnë veprat hedhur në kosh!

Pi për Prishtinën, por boem s’jam
Ndonëse të tillë të duan shumë,
Kot pret një përgjigje, a u shkel drejtësia?
Të këqijat ku t’i hedhë, o qytet pa lumë!

Prishtinë, dhjetor 2022

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme