Aktivistet insistojnë në dorëheqjen e Sveçlës dhe Gërvallës: Amaneti i Arlindës duhet të shkojë në vend

Prishtinë | 05 Nën 2026 | 18:02 | Nga Ekonomia Online

Protesta për vrasjen e Arlinda Zekajt në Prishtinë ka hyrë në ditën e nëntë, ndërsa protestuesit vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi nga institucionet e vendit. Në protestën e sotme ka mbajtur fjalim protestuesja Albulena Zeqiraj e cila ka prezantuar gjashtë kërkesat drejtuar institucioneve përgjegjëse, raporton Ekonomia Online.

“Sot janë bërë 9 ditë protestë dhe bllokadë të institucioneve përgjegjëse për vrasjen e Arlindës. Shokë dhe shoqe, ne nuk jemi ndalur për 9 ditë radhazi, mëngjes e mbrëmje, duke kërkuar përmbushjen e kërkesave tona. Dhe do të vazhdojmë derisa amaneti i Arlindës të shkojë në vend”, tha Zeqiraj.

Ajo ka bërë të ditur se protestuesit nuk do të ndalen së kërkuari përgjegjësi, duke theksuar se suspendimet e zyrtarëve nuk janë të mjaftueshme.

“Ne ua kemi bërë të qartë se suspendimet nuk mjaftojnë. Në çdo ngjarje ku është e mundur të jemi të pranishëm, ku Prokuroria, Kurti apo zyrtarë të tjerë marrin pjesë, ne do ta ngremë zërin dhe do t’ua rikujtojmë kërkesat tona”, shtoi.

Zeqiraj ka treguar se pas protestave të vazhdueshme, Kryeprokurori ka dëgjuar kërkesat e protestuesve dhe ka premtuar se personat përgjegjës për vdekjen e Arlinda Zekajt do të përballen me drejtësinë.

“Mosdorëzimi ynë ka bërë që sot Kryeprokurori të dëgjojë kërkesat tona dhe të japë premtimin se secili person përgjegjës për vdekjen e Arlinda Zekajt do të përballet me drejtësinë”, është shprehur Zeqiraj.

Ajo ka bërë të ditur se kërkesat e protestuesve përfshijnë gjashtë pika.

“Shkarkimin, ndjekjen penale dhe burgimin e kryeprokurores Lumturije Vuçetaj, prokurores së rastit Suada Rama Hamza, kryetarit të gjykatës Shemsedin Haxhiaj, gjyqtarit Migjeni Kastrati, ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së QPS-së, Shpresa Lukaj, togerit Faruk Muqolli dhe zyrtarëve të tjerë të përfshirë. Shkarkimin e Donika Gërvallës dhe Xhelal Sveçlës, si dhe dorëheqjen e Gazmend Muhaxherit. Shpalljen e vrasjes së grave si urgjencë kombëtare. Sigurimin e banimit social për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore. Vetingun e pavarur dhe jopartiak të sistemit të drejtësisë. Legalizimin e sprejit vetëmbrojtës për gratë”, shtoi

Zeqiraj ka paralajmëruar se protestuesit do të vazhdojnë të jenë të pranishëm në aktivitetet ku marrin pjesë përfaqësuesit institucionalë, për t’ua rikujtuar kërkesat e tyre.

“Amaneti i Arlindës do të shkojë në vend! Për Arlindën dhe për çdo grua të vrarë, ne nuk do të dorëzohemi”, ka përfunduar ajo.

Të ngjashme