Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar Qeverinë lidhur me gjendjen e vendit, duke komentuar raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka thënë se raporti pasqyron gjendjen aktuale në vend, duke theksuar se Kosova, edhe pas shumë vitesh, vazhdon të përballet me të njëjtat kritere të papërmbushura, veçanërisht në sistemin e drejtësisë, zhvillimin ekonomik dhe arsim.
Lushaku-Sadriu ka përmendur edhe rritjen e rasteve të vrasjeve të grave dhe dhunës në familje, inflacionin e lartë dhe vështirësitë ekonomike me të cilat përballen qytetarët.
“Nuk e di në çfarë forme doli mirë, Kosova kaq pas shumë vitesh ka çdo herë përsëritje të kritereve që janë të papërmbushura prej neve. Sistemi i drejtësisë joefikas, vrasjet e grave dhe dhuna në familje, kjo është më shumë se kurdoherë. Kjo është reflektim i situatës që ne e kemi në vend”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka vlerësuar se ngecjet nuk janë të pranishme vetëm në fushën e drejtësisë, por edhe në zhvillimin ekonomik, duke theksuar se qytetarët po përballen me vështirësi në përmbushjen e nevojave të tyre bazike.
“Ngecje në zhvillim ekonomik, inflacion i lartë, mos përballje e qytetarëve me nevojat ekzistenciale ekonomike. Në anën tjetër ke arsim jofunksional, nuk ka reformë në asnjë fushë. Ka dështim të procedimit të reformave”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Sipas saj, Kosova jo vetëm që vazhdon të mbetet prapa në agjendën evropiane, por nuk po arrin të shënojë progres as në zhvillimin e brendshëm, për çka përgjegjësinë ia ka atribuuar Qeverisë aktuale.
“Ne jo që jemi vendi i fundit e nuk jemi askund në agjendat evropiane, nuk jemi duke progresu vet për shkak të joseriozitetit tonë, të Qeverisë sonë aktuale”, ka deklaruar ajo.