Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, ka prezantuar të mërkurën në Kuvendin e Kosovës raportin e auditimit vjetor për vitin 2025, i cili pasqyron menaxhimin e fondeve publike dhe gjendjen e financave publike gjatë këtij viti. Gjatë prezantimit, Spanca ka bërë të ditur se raporti përmban dy shtylla kryesore: auditimin vjetor financiar të Qeverisë për buxhetin e vitit 2025, që përfshin opinionin e auditimit, gjetjet kryesore dhe rekomandimet, si dhe rezultatet e auditimeve individuale të institucioneve publike, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka paraqitur disa nga gjetjet kryesore të auditimit, ku ka evidentuar klasifikimin jo adekuat të shpenzimeve në vlerë prej 77,4 milionë eurosh.
“Së pari, është evidentuar klasifikimi adekuat i shpenzimeve në vlerë prej 77,4 milionë euro, prej kësaj 58,5 milionë euro lidhen me pagesat e realizuara në bazë të vendimeve gjyqësore nga kategori jo adekuate buxhetore, kryesisht për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga kontrata kolektive në nivel komunal”, ka deklaruar Spanca.
Ajo ka sqaruar se pjesa tjetër e kësaj shume përfshin buxhetimin jo adekuat dhe keqklasifikimet e shkaktuara nga organizatat buxhetore.
“Pjesa tjetër përfshin buxhetimin jo adekuat në vlerë 4,5 milionë eurove dhe keq-klasifikimet e shkaktuara nga vetë organizatat buxhetore në vlerë prej 14,4 milionë eurove”, ka thënë ajo.
Një tjetër gjetje e evidentuar në raport ka të bëjë me mbivlerësimin e pasurive, si dhe mangësitë në raportimin e zërave të tjerë financiarë.
“Së dyti, është evidentuar mbivlerësimi i pasurive në vlerë prej 33,5 milionë eurove, së treti janë identifikuar mangësi në raportimin e zërave të tjerë financiarë, përfshirë nënvlerësimin e llogarive të arkëtuara në vlerë prej 4,4 milionë eurove, mbivlerësimin e detyrimeve të papaguara në vlerë prej 2,8 milionë euro dhe mbivlerësimin e detyrimeve dhe kontingjenteve në vlerë afro 30 milionë euro”, ka deklaruar Spanca.
Duke folur për realizimin e buxhetit gjatë vitit 2025, auditorja e përgjithshme ka thënë se të hyrat buxhetore kanë arritur në mbi 3 miliardë e 512 milionë euro, duke shënuar rritje prej rreth nëntë për qind krahasuar me vitin 2024.
Sipas saj, edhe shpenzimet buxhetore kanë shënuar rritje prej nëntë për qind krahasuar me buxhetin final.
Nga buxheti final prej 3 miliardë e 848 milionë eurosh, ajo ka bërë të ditur se janë realizuar 91 për qind e shpenzimeve të planifikuara.
Sa i përket deficitit buxhetor, Spanca ka theksuar se kufiri i përcaktuar me ligj është respektuar. Ajo ka sqaruar se deficiti i planifikuar ishte 224 milionë euro, apo rreth dy për qind e Bruto Produktit Vendor (BPV).
Ndërkaq, sipas realizimit përfundimtar të buxhetit, deficiti ishte dukshëm më i ulët.
“Deficiti sipas realizimit përfundimtar të buxhetit ishte rreth 7,8 milionë euro ose 0,07 për qind të Bruto Produktit Vendor”, ka thënë Spanca.
Në raportin e prezantuar në Kuvend, Spanca ka folur edhe për borxhin shtetëror, i cili në fund të vitit 2025 arriti në 1,8 miliardë euro.