Fëmijët e braktisur vazhdojnë të mbesin në mëshirë të fatit

Prishtinë | 09 Pri 2017 | 09:08 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pavarësisht kornizave ligjore dhe ligjeve të cilët shteti i Kosovës i ka në dispozicion, të drejtat e fëmijëve nuk respektohen. Në këtë mes janë edhe fëmijët e pambrojtur dhe të braktisur.

Madje edhe qendrat ditore të cilat janë në dispozicion për këta fëmijë janë mbyllur për shkaqe të mungesës financiare.

Donjeta Kamberi, drejtoresh ekzekutive në KOMF ka thënë për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online se përveç mungesës financiare nga komunat edhe sektori joqeveritar është fajtor për moskujdesin e fëmijëve të pambrojtur.

“Gjatë muajit shkurt përkohësisht është mbyllur edhe strehimorja e vetme në nivel nacional për mbrojtjen e fëmijëve dhe viktima të dhunës të abuzimit dhe fëmijët viktima të trafikimit me rrezikshmëri të ulët. Kjo është mbyllur pra për shkak të mosfinancimit të mjaftueshëm dhe është rihapur në muajin mars”, thotë ajo.

Kamberi tregon se fëmijët të cilët kanë qenë të strehuar në këtë strehimore janë detyruar të zhvendosen dhe të dërgohen në një formë tjetër të kujdesit e që kjo është një shkelje e të drejtave të fëmijëve dhe ndikon negativisht në zhvillimin e tyre.

Ndihmat të cilat i ofron ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Kamberi i konsideron si grante, kurse sa i përket komunave përkatëse ajo  pohon se nuk kanë dashur të marrin përgjegjësi për të ndarë fonde për këto kategori sociale.

“Ministria e punës na ka mbështetur përmes grandeve përmes procesit të thirrjeve publike të cilat I kanë bërë por që mbështetja ka qenë e pjesshme ka mbuluar vetëm një pjesë të shërbimit dhe pjesa tjetër mbetet e pambuluar sepse komunat nuk kanë dashur që të marrin përgjegjësin për të ndarë fonde për mbrojtjen e fëmijëve dhe ka ardhur në një situatë të tillë”, ka thënë Kamberi.

Komuna e Ferizajt sipas saj është e vetmja e cila ka ndarë mjete financiare ndihmëse për fëmijët e pambrojtur.

“Një model të cilin e kisha përmendur edhe si model pozitiv qëndron komuna e Ferizajt e cila ka ndarë disa mjete sa i përket mbrojtjes së fëmijëve dhe shërbimeve të ofruara në komunën e tyre. Ndërsa nëse e marrim të përgjithshme mund të them lirisht që shumica  e komunave nuk ndajnë fare buxhet për ofrimin e shërbimeve të ofruara nga sektori joqeveritarë ose janë vërtet simbolike të cilat nuk mundet që me ato shuma të përballohet ushtrimi ose shërbimi i një zhvillimi”, ka thënë Kamberi.

Ajo ka treguar që donatorët e jashtëm më nuk janë shumë entuziastë për të ndihmuar në këtë aspekt në Kosovë, ngase konsiderojnë se tanimë kjo çështje është përgjegjësi e institucioneve vendëse.

Ndërsa thotë se këta donatorë kanë thënë se këta fëmijë janë të Kosovë dhe që shteti i tyre duhet të marrë përgjegjësi për ta.

 

 

 

Të ngjashme