KOMF ndan mirënjohjet vjetore “Mik i Fëmijëve” me fokus në të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve

Prishtinë | 22 Dhj 2020 | 17:25 | Nga Ekonomia Online

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF ka ndarë  mirënjohjet vjetore “Mik i Fëmijëve”, në fushën e mbrojtjes sociale dhe decentralizimit të shërbimeve sociale, me fokus në të drejtat e fëmijëve në Kosovë, për vitin 2020.

KOMF këtë vit ka ndarë tri mirënjohje vjetore me titullin “Mik i Fëmijëve” 2020, për individë apo subjekte të cilët kanë dhënë kontribut në shërbime sociale dhe mbrojtjen e fëmijëve. Për shkak të pandemisë Covid-19 dhe në përputhje me rekomandimet e institucioneve relevante, KOMF i ka publikuar këto çmime online dhe nuk e ka organizuar ceremoninë tradicionale.

Mirënjohjet vjetore “Mik i Fëmijëve 2020”, u ndanë si më poshtë:

  • Avokuesi për të drejtat e fëmijëve, Rijad Mehmeti, merr Mirënjohjen Vjetore “Mik i Fëmijëve 2020”
  • Familja strehuese nga Ferizaj, Ymrije dhe Halil Selmanaj, merr Mirënjohjen Vjetore “Mik i Fëmijëve 2020”
  • Dr. MSc. Burim Buzhala, merr Mirënjohjen Vjetore “Mik i Fëmijëve 2020”

Rijad H. Mehmeti 16-vjeçar, zëri i fëmijëve më aftësi të kufizuara, arriti të flasë fuqishëm për nevojat e fëmijëve me aftësi të kufizuara drejt instancave më të larta në Kosovë e deri në Parlamentin Europian.

“Si po ndiheni kur tani jeni në karantinë, duke e ditur që shumë fëmijë me aftësi të kufizuara dhe ata shokët e mi, kanë qenë të izoluar në shumicën e jetës së tyre, për shkak të pamundësisë së kushteve?” ishte kjo pyetja e Rijadit e cila drithëroi dhe i bëri të reflektojë qytetarët e Kosovës gjatë masave të izolimit.

Rijadi motivoi shumë prindër e fëmijë me aftësi të kufizuara, por në të njëjtën kohë vetëdijesoi shoqërinë e gjerë lidhur me të drejtat dhe potencialin e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Prandaj KOMF ka ndarë mirënjohje “Mik i Fëmijëve 2020” për Rijad Mehmetin, në shenjë mirënjohje për punën e pashtershme të tij, lidhur me respektimin e të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara, dhe jo vetëm.

Ndiqni një video të shkurtër, të përgatitur në bashkëpunim me Ekonomia Online, për të kuptuar më shumë për kontributin e Rijadit:

Familja strehuese Halil dhe Ymrije Selmanaj janë një familje e cila ka strehuar fëmijë të braktisur, keqtrajtuar e të lënë pas dore dhe fëmijë në nevojë për plot 16 vite.

Deri më tani kjo familje ka strehuar 16 fëmijë dhe aktualisht ka 3 fëmijë të strehuar.

Kjo familje mban derën hapur për të gjithë fëmijët pa dallim gjinie, moshe, nacionaliteti dhe sidomos në fokus për strehim i ka fëmijët me aftësi të kufizuara.

Familja e Ymrijes dhe Halilit me gjithë vullnetin e tyre, po mbajnë në strehim fëmijët edhe pas moshës 18 vjeçare, edhe pse shteti pas kësaj moshe nuk ofron pagesë për mbështetje të këtyre fëmijëve.

Prandaj KOMF ka ndarë mirënjohjen “Mik i Fëmijëve 2020” për familjen strehuese Halil dhe Ymrije Selmanaj, në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për kontributin e pashoq që kjo familje, së bashku me 37 familjet tjera strehuese në Kosovë, japin në vazhdimësi për fëmijët pa kujdes prindëror.

Ndiqni një video të shkurtër, të përgatitur nga KOMF dhe EO, për t’u njohur më shumë me punën e kësaj familjeje strehuese:

Dr. MSc. Burim Buzhala ka marrë Mirënjohjen Vjetore “Mik i Fëmijëve 2020”, në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje ndaj iniciativës sensibilizuese, me punësimin e vajzës me Sindromën Down, Eloida Alija, si asistente në klinikën e tij dentare.

Puna në klinikë ka ndikuar shumë pozitivisht te Eloida, duke e bërë të ndihet krenare e të ketë më shumë vetëbesim. Mesazhi i Doktorit për gjithë-përfshirjen dhe trajtimin e barabartë të të gjithë fëmijëve, duhet të shkojë tek familja, institucionet dhe gjithë shoqëria. Sipas tij, me pak vullnet mund të bëjmë shumë.

Ndiqni një video të shkurtër për të kuptuar më shumë për kontributin e mjekut Buzhala:

KOMF falënderon të gjithë fituesit, individët, bizneset e korporatat, të cilët vazhdimisht dhe në mënyrë të pakursyer dëshmojnë vullnet dhe angazhim në mbështetje të komunitetit e mbi të gjitha të fëmijëve, drejt misionit fisnik të mbrojtjes së të drejtave të tyre.

Ndarja e mirënjohjeve vjetore në fushën e mbrojtjes sociale dhe decentralizimit të shërbimeve sociale, me fokus në të drejtat e fëmijëve në Kosovë për vitin 2020, u mundësua në kuadër të projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim” financuar nga Bashkimi Europian, menaxhuar nga European Union Kosovo dhe implementuar nga KOMF, në partneritet me SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, Organizata për fëmijët pa kujdes prindëror – OFAP dhe KMOP, dhe në kuadër të projektit “Fuqizimi i Shërbimeve Sociale për Fëmijët dhe Familjet e Cenueshme”, financuar nga Embassy of Switzerland in Kosovo dhe implementuar nga KOMF.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme