Në zhvillimin e fëmijëve ndikon sasia e diellit të cilën e absorbojnë derisa janë ende në barkun e nënës, ushqimet e freskëta me të cilat ushqehet gruaja shtatzënë, ndërsa shpjegimet gjenden edhe në vetë statistikat, transmeton Koha.net. Gjithashtu, disa studime kanë konfirmuar se stina në të cilin ka lindur fëmija ndikon në zhvillimin e tij.
Nëse jeni duke pritur fëmijë këto ditë, gjasat janë të mëdha që ai fëmijë të bëhet mjek ose përmbarues kur të rritet, është ky përfundimi i Byrosë Kombëtare Britanike për Statistika.
Nëse ju lind fëmija në fund të janarit, statistikisht ka gjasa që ai të bëhet i njohur. Sipas një studimi të publikuar në Journal of Social Sciences, shumë njerëz të njohur nga zona të ndryshme janë ujorë në horoskop.
Janë më të mençur dhe më të mëdhenj
“Këto janë efekte të vogla, por janë shumë të qarta. Unë nuk e mbështes astrologjinë, ajo është qesharake, por njerëzit nuk janë imunë ndaj ndikimeve të stinëve të ndryshme”, thotë Russell Foster, neuroshkencëtar nga Universiteti i Oxfordit.
Gjithashtu, foshnjat e lindura në dimër janë më të mëdha dhe, në kohën kur shkojnë në shkollë, ato janë më të rënda, më të gjata dhe me një diametër më të madh të kokës sesa bashkëmoshatarët, përcjell Koha.net. Sipas një studimi të përbashkët amerikano-australian, në të cilin shkencëtarët studiuan zhvillimin e 21.000 djemve dhe vajzave, rezultoi që fëmijët e dimrit kishin rezultate më të mira në testet e inteligjencës sesa bashkëmoshatarët e tyre.
Ana tjetër e medaljes i sjell edhe disa probleme të mundshme. Disa studime kanë konfirmuar se shumica e fëmijëve me reaksione të forta alergjike ndaj ushqimit lindin në muajt e dimrit.
Mungesa e vitaminës D
Edhe pse nuk dihet arsyeja e vërtetë, ekspertët supozojnë se kjo është për shkak të ekspozimit më të vogël të nënës ndaj diellit dhe vitaminës D në muajt e fundit të shtatzënisë. Kjo është arsyeja se pse foshnjat dimërore kanë masë më të ulët eshtërore dhe eshtra më të dobët sesa foshnjat e verës.
Mungesa e dritës së diellit gjithashtu ndikon në zhvillimin e depresionit, ndaj të cilit janë më të prirë, si dhe në zhvillimin e çrregullimeve neurologjike si skizofrenia. Ato gjithashtu kanë dhjetë për qind gjasa më të mëdha se të tjerët që të lindin më herët, ndërsa si faktor të rëndësishëm shkencëtarët e marrin sezonin e gripave.