Jo televizor në dhomën e gjumit të fëmijëve

Prishtinë | 15 Mar 2024 | 02:30 | Nga Ekonomia Online

Përveçse duhet të bëni kujdes me sasinë dhe cilësinë e ushqimit që u jepni fëmijëve tuaj, tanimë kujdes duhet të tregoni edhe për vendndodhjen e televizorit. Një studim i fundit ka zbuluar se fëmijët mund të bëhen obezë nëse shohin televizor në dhomën e gjumit.

Një motiv i obezitetit të shfrenuar te fëmijët mund të qëndrojë te vendosja e televizorit në dhomën e gjumit: një zakon që mesa duket do t’i bënte fëmijët më të shëndoshë. Kjo është zbuluar nga një studim i kryer prej shkollës së mjekësisë “Geisel” në Dartmouth, së bashku me qendrën e kancerit Norris Cotton.

Hulumtimi zbulon që…

Studimi, në bashkëpunim me disa universitete amerikane, ka marrë nën vëzhgim sjelljen e 6500 fëmijëve midis moshës 10 dhe 14 vjeç, të gjithë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Televizori, në pjesën më të madhe të rasteve, ndodhej në dhomën e gjumit. Studimi zgjati 4 vjet dhe ka analizuar situatën, duke ndarë elemente të tjera të lidhura me rritjen e peshës, si zakonet e të ushqyerjes, sjelljen me sportin ose jetën sedentare.

Në mungesë të këtyre faktorëve, fëmijët që kishin televizor në dhomë paraqisnin në çdo rast një masë trupore të rritur me 0,24 dhe një shtim në peshë me 500 gramë në vit. Gjithashtu, sipas Andrea Vania, konsulente e Shoqatës Italiane të Pediatrisë, televizori në dhomën e gjumit, i induktuar kryesisht nga mënyra globale e jetesës së fëmijëve dhe e të rinjve, zvogëlon numrin e orëve të gjumit dhe ndoshta i shtyn fëmijët drejt një jete më sedentare apo e të qëndruarit ulur.

Jo vetëm televizor, por edhe kompjuter, tablet dhe smartphone…

Ky është vetëm fillimi i një vëzhgimi më të gjerë që do të përfshijë gjithashtu edhe kompjuterin, tabletin dhe smartphone, që sigurisht paraqesin një nivel ndikimi në sjelljen sedentare të fëmijëve. Studimi, për herë të parë, shqyrton varësisë e televizorit të barazuar me zakonet e këqija të të ngrënit, duke ndjekur një teori që mesa duket nuk ishte edhe aq e gabuar. Ndërkaq, televizori në dhomë mund të zvogëlojë orët e gjumit të fëmijëve, duke i bërë automatikisht më të lodhur dhe sedentarë gjatë ditës, në një kohë kur duhet të lëvizin shumë. Pra, këshilla është: edukojini fëmijët që ta shohin televizorin si një objekt të lidhur me një orar të caktuar. Pasi ai orar kalohet, televizori fiket dhe lihet normalisht atje ku është, mundësisht në sallon ose në kuzhinë. Ndërkaq, edhe ju si prindër duhet të jepni shembullin më të mirë, pra që as ju mos ta mbani televizorin në dhomën e gjumit.

Kujdes me mbipeshën te fëmijët!

John Presley është një fëmijë 4 vjeç, të cilit i pëlqejnë shumë lojërat në kompjuter dhe deti. Por me peshën 35 kg ai e ka shumë të vështirë lëvizjen dhe pothuajse peshon sa një fëmijë 11 vjeç. Ky është me të vërtetë një problem shëndetësor. Fëmijët obezë në moshë të vogël janë të rrezikuar nga presioni i lartë i gjakut dhe nga diabeti.

“Më shqetëson pesha e tij, pasi diskriminohet edhe nga shumë gjëra që bëjnë fëmijët e kësaj moshe”, tha nëna e tij, Theresa Presley. John hyn në një kategori që doktorët e kanë quajtur “superobezë”. Kur John ishte 3 vjeç, mamaja e tij mori pjesë në një program trajnimi për të mësuar me çfarë ta ushqente.

Drejtorët e programit thanë se s’kishin parë asnjëherë më parë kaq shumë fëmijë obezë. Fëmijët mbipeshë janë dyfishuar gjatë dy dekadave të fundit. Prindërit kanë gjithmonë maninë t’i shohin fëmijët nga ana pozitive dhe shprehen se: “Fëmija im është kaq i bukur, pak i shëndoshë, por shumë i bukur”.

Është koha që prindërit të shohin me seriozitet peshën e fëmijëve të tyre. “Ata duhet të ndërgjegjësohen se edhe fëmijët mund të kenë probleme të presionit të gjakut ose të diabetit”, tha Carolyn Landis, profesore pediatre në një universitet në SHBA. Sipas saj, niveli i lartë i kolesterolit dhe tensioni i lartë i gjakut mendoheshin të ishin probleme vetëm të personave të rritur, por nuk është tamam kështu.

Këto sëmundje godasin edhe fëmijët shumë të shëndoshë, të cilët hanë pa rregull ushqime jo të shëndetshme. Prindërit duhet të kenë kujdes që të mos diskutojnë me fëmijët për mbipeshën ose obezitetin dhe t’i ushqejnë ata ndryshe nga të tjerët. Ata duhet të kujdesen që e gjithë familja të konsumojë ushqime të shëndetshme duke i dhënë edhe fëmijës një edukatë të ngrëni, pasi ai nuk duhet të ndihet se është i veçuar në asnjë gjë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme