Policia e Kosovës ka arrestuar gjashtë shtetas turq, punëtorë të kolegjit Mehmet Akif, shkollë e cila është pjesë e rrjetit të shkollave të klerikut Fetullah Gulen.
Ata u arrestuan nga një aksion i policisë së Kosovës dhe me procedurë të përshpejtuar u deportuan për në Turqi.
Habinë për lajmin e kanë shprehur të gjithë krerët e shtetit, përfshirë kryeministrin, presidentin dhe kryeparlamentarin.
Presidenti dhe kryeparlamentari kanë thënë që mbetet të sqarohet se çfarë realit ka ndodhur.
Këta të dy, por edhe shumë politikanë të tjerë të Kosovës i kanë vlerësuar këto shkolla.
Madje edhe fëmijët e tyre i kanë dërguar për shkollim aty.
Një gazetar turk, Ayhan Demir – për të cilin thuhet se është i afërt me qeverinë turke – kishte shkruar më parë për të përditshmen Yeni Akit në Turqi, duke treguar se cilët janë politikanët që po i dërgojnë fëmijët në shkollat, sipas tij, të terroristit Gulen.
Ai fillon me Hashim Thaçin e vazhdon me të tjerë.
“Edhe fëmijët e ish-kyeparlamentarit Jakup Krasniqit, ministrit të Ekonomisë Ahmet Shala, ministrit të Mbrojtjes Agim Çekut, ministrit të Shëndetësisë Ferit Aganit, janë diplomuar nëpërmjet bursave në shkollat e Gylenit. Tani edhe fëmijët e ministrit të Jashtëm Enver Hoxhaj, edhe fëmijët e kryeparlamentarit të Kosovës Kadri Veseli janë duke e vazhduar shkollimin në këto shkolla përmes bursave”, thekson Ayhan Demir.