Fëmijët dhe adoleshentët kanë përgjysmë më pak gjasa që të preken nga koronavirusi, është konstatuar pas një rishikimi masiv të të dhënave.
Gjetjet, të cilat janë bërë nga UCL-ja dhe shkolla londineze për Higjienë dhe Mjekësi Tropikale, do t’i kontribuojnë debatit rreth mënyrës së rihapjes së shkollave.
Fëmijët kanë po ashtu më pak gjasa që ta përhapin virusin, por ekipi që e bëri studimin ka bërë të ditur se për këtë çështje ka ende shumë paqartësi, shkruan BBC, transmeton KOHA.
Qeveria britanike pritet që ta shpalosë këshillën e saj shkencore lidhur me hapjen apo jo të shkollave. Megjithëkëtë, vetëm Anglia ka bërë të ditur se disa fëmijë të shkollimit fillor – ata të klasave prej 1 deri në 6 – mund të rikthehen në bankat shkollore, duke nxitur kësisoj shqetësime për sigurinë.
Tanimë është vërtetuar se fëmijët kanë rrezik shumë më të ulët për t’u sëmurë rëndë apo vdekur nga koronavirusi.
Hulumtuesit kanë rishikuar 6.332 studime të kryera përreth botës – shumica e të cilave ende nuk janë publikuar zyrtarisht – në përpjekje për të gjetur përgjigje. Ata kanë identifikuar vetëm 18 të dhëna të dobishme. Këto ishin një përzierje studimesh që testuan sesi përhapet virusi në shkolla apo në amvisëri përmes testimeve rigoroze të kontakteve, si dhe studime që testojnë për virusin një numër më të madh të njerëzve në një popullatë, me qëllim që të kuptohet se kush e bart atë.
Analiza ka treguar se fëmijët kishin 56 për qind më pak gjasa sesa të rriturit që të preken nga virusi, kur i ekspozohen një personi të infektuar.