Fëmijët të cilët nuk bëjnë gjumë të mjaftueshëm dhe qëndrojnë zgjuar deri vonë mund të kenë rezultate më të dobëta në shkollë. Ekspertët thonë se prindërit duhet të përcaktojnë saktësisht se në ç’kohë duhet të shkojnë në gjumë fëmijët e tyre, sepse, përndryshe, mund të kenë probleme me matematikë dhe lexim.
Në hulumtim u monitoruan vajzat dhe djemtë shtatëvjeçarë dhe trevjeçarë, dhe shprehitë e tyre të shkuarjes në shtrat. Ata që nuk e kishin të rregulluar kohën e shkuarjes në shtrat treguan rezultate më të këqija se ata që i zuri gjumi çdo natë në të njëjtën kohë dhe fjetën mjaftueshëm.
U konfirmua se fëmijët trevjeçarë të cilët nuk shkojnë në shtrat çdo natë në të njëjtën kohë kanë probleme me rregullimin e emocioneve, dhe kanë më shumë gjasa të jenë të trashë më vonë në jetë.
Ata paralajmërojnë se fëmijët mund të kenë probleme psikike dhe të ndjejnë lodhje të madhe nëse flenë çdo herë në kohë të ndryshme.
“Kur fluturoni nëpër zona kohore e keni të vështirë të funksiononi kur të mbërrini në destinacionin tuaj. Njëjtë është edhe me fëmijët kur ua ndryshoni shprehitë e gjumit. Ata do të kenë më shumë vështirësi se të rriturit. Gjumi është i rëndësishëm për formimin dhe ruajtjen e kujtimeve, të mësuarit e përditshëm dhe është thelbësor për fëmijët”, tha dr. Yvonne Kelly nga Kolegji Universitar në Londër, transmeton Ekonomia Online.
Në studim morën pjesë më shumë se 11.000 fëmijë, të cilët u monitoruan gjatë katër vjetëve. Dr. Kelly i porosit prindërit të mos e humbasin shpresën, sepse mund të bëjnë ndryshim. Tek fëmijët prindërit e të cilëve më pas e aplikuan një termin preciz të shkuarjes në shtrat, u konstatua se ishin bërë ndryshime pozitive dhe përparim në zhvillim.