Më shumë se 80 mijë njerëzit janë duke fjetur nën qiell të hapur dhe në temperatura të ulëta pas zhvendosjes nga shtëpitë e tyre në Idlib të Sirisë.
Shumica e këtyre njerëzve nuk kanë fare strehë, ndërsa rreth 20 mijë po flenë nën pemë për t’u mbrojtur sado pak nga të reshurat.
Së paku gjashtë fëmijë raportohet të kenë vdekur nga acari ditëve të fundit, bazuar në të dhënat e Komitetit Ndërkombëtar për Shpëtim. Një familje u gjet e vdekur në borë pasi nuk kishte arritur të gjente strehë.
Shkalla e krizës humanitare i ka shokuar punëtorët e organizatave bamirëse dhe zyrtarët, shkruan “The Independent”, transmeton Gazeta Express.
“Në mënyrë të paimagjinueshme, një situatë tashmë katastrofale në veriperëndim të Sirisë po bëhet edhe më e rëndë”, tha Misty Busëell nga ky komitet.
Pas mbushjes së kampeve të përkohshme, dyert për refugjatët i hapën edhe shkollat dhe xhamitë. Megjithatë, edhe ato janë mbushur dhe shumë njerëz kanë mbetur pa strehë.
Shtresa e borës në një pjesë të Sirisë e ka rënduar edhe më shumë gjendjen. Në kohën kur temperaturat kanë rënë në -11 gradë, njerëzit po djegin rroba, goma dhe qese plastike për t’u ngrohur.
Kriza e re humanitare në këtë pjesë të Sirisë erdhi pas ofensivës së trupave qeveritare të diktatorit famëkeq, Bashar al-Assad, të cilat po i sulmojnë rebelët me ndihmën e ushtrisë ruse.