Femra – “aksesor” i nevojshëm, por i zëvendësueshëm

Prishtinë | 08 Qer 2022 | 01:12 | Nga Silvana Begaj

Femra!

Aksesor i nevojshëm, por i zëvendësueshëm. Matës i burrërisë së meshkujve të familjes ku jeton. Kukull robotike me programe dhe rregulla të përcaktuara nëse do ta kalojë këtë jetë me nder.

Që fëmijë iu mësojmë punët e shtëpisë si një detyrë të domosdoshme për të qënë e denjë dhe jo si të nevojshme për të jetuar. Bën dhe punën e burrave, por përsëri nuk fiton dot respektin si një burrë. Se një femër në vendin tonë ashtu si e rrisim të luaj me kukulla, ashtu dhe e mësojmë të jetë një kukull në duart e të tjerëve në jetë.

Zakonisht familjet me pamundësi ekonomike i martojnë përpara se të mbarojnë shkollën e mesme. Kështu do të mësohet lehtësisht dhe me rregullat e familjes ku po shkon. Në shtëpi të burrit nuk do ta marri njëri për mend. Mend ka burri, apo cdo burrë aty ashtu sic kishte babai apo vëllai më parë.

Zakonisht familjet më të ”qytetëruara” i shkollojnë vajzat. Qyteti do rrogë! Ama, gjatë gjithë rrugës së formimit të sajë ka gjithmonë një gardh që e lejon të jetë ”e shkolluar, por e ndershme”.

Pastaj pjesa tjetër janë ”drunjtë e shtrembër”, pjesa e pamoralshme e kësaj shoqërie kaq hyjnore dhe që snjeh mëkatin.

Që të mos të jesh tek pjesa e mëkatarëve, detyra të kërkon të përdorësh cdo lloj mjeti, kryesisht dhunën. Frika e mban në rrugën e drejtë këdo që devijon rrugën e drejtësisë. Shpesh ushtrojnë dhunë dhe kot se kështu e mësojnë që të di të durojë shpërthimet e dhunshme të familjes ku do vejë.

Përkëdhelitë sjellin divorc!

Sigurisht, kjo bëhet për të mirën e tyre, por ka dhe një pjesë që nuk e kupton. Atëherë duhet ndihma e lagjes, qytetit, fshatit dhe gjithë shoqërisë ta bëjmë shembull për të tjerat. Aq shumë është pjesëmarrja në këto evente, fizike apo virtuale, sa do të ishte parajsë të të vrisnin me armë se sa me kaq urrejtje, mllef dhe përcmim.

Në shoqërinë patriarkale dhe injorante që na rrethon do vuash pasojat e këtyre veprimeve, dhe jo vetëm ti, por e gjithë familja jote. Njollat nuk zhbëhen.

Por të të vrasin nuk do të thotë patjetër të vdesësh. Bërja publike e të tilla ngjarjeve me ndihmën e mediave të bejnë të pavdekshme.

Dhe si shoqëri e rreptë dhe e ndershme që jemi, i lamë mënjanë ankesat për cmimet që kanë kapur majat, për naftën, për varfërinë e mijëra probleme që kemi.

Këto na rrënojnë, por prekja në nder na tërbon si shoqëri

Të ngjashme