Jo vetëm opozita po kërkon shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. Pas kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, i cili tha se ‘nuk bëhet kiamet’ nëse shkohet në zgjedhje, së fundmi, deputeti i kësaj partie, Shukri Buja, është deklaruar për prishjen e koalicionit.
Ai ka thënë se ka diskutime edhe brenda anëtarëve të këtij subjekti politik, që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Duke thënë se nuk beson se koalicioni LDK-PDK nuk do të shkojë deri në fund, Buja ka shtuar se vetëm është duke u shikuar se cila është koha më e mirë që të prishet koalicioni.
“Dilema është se kur është koha më e mirë, marsi, maji, apo të shkohet njëkohësisht me ato lokale”, ka thënë ai.
E për këto deklarime të tij ka thënë se nuk e ka pasur fare problem që t’i bëjë publike, pasi edhe disponimi në parti është që të shkohet në zgjedhje.
“Ai këtë e ka thënë publikisht dhe ka qenë me dilema atë shkohet në zgjedhje të parakohshme ose jo. Ai kërkon edhe një pajtueshmëri të partnerit, i cili po ashtu është i luhatur në këtë aspekt”, ka shtuar Buja.
Ai pohon se në vend nuk ka pasur asnjë negociatë askush me askënd
Por, Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se nuk ka asnjë qëndrim zyrtar nga asnjëra parti, por janë vetëm deklarata të individëve.
Deputeti i LDK-së, Sadri Ferati, ka thënë se Shukri Buja e ka lidhur nevojën për zgjedhje me Gjykatën Speciale, çka mendon se është gabim.
“Programi dhe synimet e qeverisjes kanë diçka krejt të ndarë me çështjen për Gjykatën Speciale, pse ajo është instaluar në Kosovë, ajo e bën punën e vet. Edhe nëse shkohet në zgjedhje, çka ndryshohet në raport me Gjykatën? Por, edhe nëse thuhet se dëmtohen proceset, mbeten në gjysmë, sepse me gjykatën eventualisht nuk e kam të qartë a synohet ndonjë poenë politik. Më tepër është një reagim, një revoltë, një protestim, se sa një objektiv politike e mirëfilltë”, ka thënë Ferati.
Ai shton se shkuarja në zgjedhje në këtë kohë do të ishte dëm të Kosovën.
“Zërat që kanë thirrë deri tash kanë qenë të opozitës, natyrisht se ata janë opozitë dhe e dëshirojnë pozitën, ndërsa për pozitën nuk kam dëgjuar shumë, arsye kryesore është sepse pikërisht temat që i kemi duhet të tejkalohen e pastaj të shkohet në një proces të qetë zgjedhor dhe mirë të organizuar e jo të shkohet me tema problematike sikur këto, në zgjedhje dhe gjithë procesi pastaj të bëhet në këto tema dhe të harrohen programet qeverisëse, që do ta dëmtonte Kosovën për herë të dytë”, ka thënë deputeti i LDK-së për Bota sot.
Ndërsa, sa i përket mundësisë që Gjykata Speciale të prekë më shumë njerëz të PDK-së, Ferati tha “Mund të jetë, nuk e përjashtoj mundësinë që nga gjykata të jenë të prekur më shumë anëtarë të një partie në raport me tjetrën, por unë mendoj që ajo nuk është zgjidhje e problemit. Tani kur thuhet të shkohet në zgjedhje, a mendohet që ngutu, ngutu, të zëmë pozita apo që ta ndryshojmë apo t’i kontriboujmë interesit të qytetarit”.
Ai thotë se gjykata do t’i prekë edhe nëse janë pozita, por për ta është që më mirë të mos e bëjnë shumë temë Gjykatën.
“Ndoshta më së miri do të ishte që ata që i frikësohen situatës, sa më pak ta bëjnë temë të fushatës, të zgjedhjeve. Por nëse individët preken, është për keqardhje kushdo që preket, por nëse preken individët, ato çështje duhet të trajtohen në raport me individët dhe jo me të gjithë shqiptarët. Kështu që unë mendoj që ato motive janë të paqëndrueshme, të gabueshme dhe në dëm të Kosovës”, ka përfunduar deputeti Ferati.
Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm Ballit Kombëtar Demokrat dhe veprimtari Arbër Gashi, ka thënë se prishja e koalicionit PDK-LDK, i konvenon PDK-së, LDK-së dhe ish kuadrove të PDK-së në LVV.
“Të gjithë këta kanë interes për zgjedhje të reja dhe për ruajtjen e privilegjeve, qofshin ato ekonomike ose politike. Ndryshimi për Kosovën është shumë larg, sepse pjesa më e madhe e subjekteve opozitare nuk posedon alternativë dhe strukturë profesionale me të cilën mund t’i ofrojë alternativë Kosovës”, ka thënë Gashi.
E derisa nuk ka një vendim zyrtar, PDK dhe LDK vazhdojnë koalicionin.