Ferizaj kundër kushtëzimit që lidhet me pagesën e borxheve publike

Prishtinë | 09 Gus 2016 | 15:55 | Nga

Kryetari i Komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa, ka pranuar gjatë dy ditëve të fundit reagime nga qytetarë, organizata joqeveritare dhe medie, lidhur me urdhëresën për kushtëzimin e vërtetimeve të tatimit në pronë me pagesën e borxheve ndaj institucioneve dhe kompanive publike.

Me këtë rast, kryetari i Ferizajt dëshiron të sqarojë se:

Nuk parapëlqen masat shtrënguese ndaj qytetarëve, pos në raste kur borxhet neglizhohen skajshmërisht;

Borxhet ndaj Komunës së Ferizajt dhe kompanive publike, kanë kaluar shumën 15 milionë euro dhe kanë rënduar funksionimin e kompanive;

Urdhëresa, ndër të tjera, është mbështetur në nenin 15 të Ligjit për mbeturinat, pika 1. 8, ku thuhet: “Komuna cakton tarifat dhe mënyrën e inkasimit të mjeteve financiare për shërbimet komunale”;

Komuna, së bashku me qytetarët, mediat, kuvendarët, deputetët, trupat dhe organizatat qeveritare e joqeveritare, do të ngritë çështjen e ndërtimit të mekanizmave për inkasimin e borxheve ndaj institucioneve dhe kompanive publike në shkallë vendi, përmes një akti juridik.

Kryetari i Ferizajt gjithashtu dëshiron të sqarojë se urdhëresa për kushtëzimin e vërtetimit të tatimit në pronë me pagesën e borxheve ndaj institucioneve dhe kompanive publike, lidhet me afatin e Ligjit për faljen e borxheve, me qëllim të nxitjes së qytetarëve që t’i shlyejnë obligimet e tyre financiare. Aq më tepër që, sipas shënimeve të Drejtorisë së Financave, qytetarët e komunës së Ferizajt përfitojnë 2.5 milionë euro nga ky ligj.

Kryetari Svarqa është i hapur edhe më tej për ta diskutuar këtë dhe çështje të ngjashme me qytetarët, mediat, OJQ-të dhe grupet e interesit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme