Sikurse sezonin e kaluar, titulli i kampionit të Kosovës do të vendoset në xhiron e fundit. Feronikeli do ta presë Prishtinën në stadiumin “Rexhep Rexhepi”. Të dielën do të përballen sulmi më i mirë kundër mbrojtjes më të mirë në Ipko Superligë.
Ndeshja më e madhe e vitit në IPKO Superligë, e cila po konsiderohet si finalja e madhe e titullit do të zhvillohet të dielën në Drenas.
Lideri Feronikeli do ta presë Prishtinën në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, i cili do të jetë arenë e ndeshjes përcaktuese për skuadrën që do të luajë në Champions League sezonin e ardhshëm.
Skuadra nga Drenasi prin në tabelë me 2 pikë më shumë se prishtinasit, 77 me 75.
Prandaj, ekipit të Zekirija Ramadanit i konvenojnë dy rezultate për t’u shpallur kampion, fitorja dhe barazimi.
Nga ana tjetër, trupës së Mirel Josës i kryen punë vetëm fitorja, për t’i dhënë fund pritjes së gjatë prej gjashtë vjetësh pa e fituar titullin.
Por, cilat janë statistikat e dyja skuadrave që arritën deri këtu?
Të dielën në stadiumin “Rexhep Rexhepi” do të përballen skuadrat që kanë fituar më shumë, kanë barazuar më pak – sulmi më i mirë kundër mbrojtjes më të mirë në Ipko Superligë.
Në 32 xhiro deri më tani, Feronikeli ka arritur 24 fitore, 5 barazime dhe tri humbje, duke grumbulluar 77 pikë.
Në anën tjetër, Prishtina e Josës në 32 ndeshje në sezonin 2018/19, regjistron 23 fitore, 6 barazime dhe tri humbje.
Feronikeli e ka sulmin më të mirë në Ipko Superligë me 63 gola të shënuar dhe mbrojtjen e dytë më të mirë, me vetëm 14 gola të pësuar.
Në anën tjetër, Prishtina e ka mbrojtjen më të mirë në Ipko Superligë me vetëm 11 gola të pësuar në 32 ndeshje.
Sa i përket sulmit, Prishtina ka çaluar këtë edicion, për dallim me Llapin e Feronikelin. Në 32 ndeshje, të besuarit e Mirel Josës kanë shënuar 49 gola, Feronikeli i pari me 63, kurse Llapi e dyta me 52 realizime ne 32 ndeshje.
Cilat janë statistikat mes këtyre skuadrave në sezonin 2018/19?
Feronikeli e Prishtina janë përballur dy herë mes vete në sezonin 2018/19.
Nëse i shikojmë këto dy ndeshje, atëherë Prishtina është favorit sepse ka statistika më të mira në lojë direkte.
Në ndeshjen e parë, në “Rexhep Rexhepi”, Feronikeli humbi 0-1 në shtëpi nga Prishtina, kurse në stadiumin “Fadil Vokrri” ndanë pikët, duke barazuar 1-1.
Sido që të jetë, në finale, asnjëherë statistikat nuk luajnë rol sepse ndeshje Feronikel – Prishtina shihet si një finale sepse aty do të vendoset titulli. Për 90 minuta, dy skuadra do të dhurojnë spektakël në stadiumin “Rexhep Rexhepi” për të ngritur në fund lart trofeun.