Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, kalimin te Fenerbahçe e ka quajtur “ëndërr të realizuar të fëmijërisë”. Por kjo ëndërr po vazhdon dhe dita-ditës po bëhet edhe më e bukur.
Ai në dy ndeshjet e tij të para me fanellën e Fenerbahçes ka shënuar tre gola dhe mediat turke për këtë kanë shkruar se “festa e Muriqit te Fenerbahçe ka nisur shumë herët”, shkruan sot Koha Ditore.
Në fakt, klubi i madh nga Stambolli ka shënuar gjithsej tre gola në dy ndeshjet përgatitore dhe tre golat mbajnë firmën e prizrenasit.
Muriqi shënoi dy gola kundër Bursasporit (2:0), që ishte ndeshje debutuese për të dhe një gol në barazimin 1:1 kundër Wolfsburgut, të hënën.
Muriqi është i vendosur të vazhdojë me këtë formë. Ai thotë se në Fenerbaçhe ka shkuar për të shkruar emrin e tij në historinë e klubit me shkronja të arta.