Askush nuk e anashkalon dot: Fuqia e tij lëviz malet. Vetëm me besimin fetar, mund të zhvillohet paqja në botë, jo pa të, edhe pse kjo tingëllon paradoksale në kohët e sotme, mendon Astrid Prange de Oliveiraa.
Të krishterë e myslimanë të të gjitha vendeve bashkohuni! Bashkohuni kundër fanatizmit fetar, predikuesve radikalistë, xhihadistëve dhe terroristëve! Kundërshtoni keqpërdorimin e fesë për të ndezur luftërat dhe ata që hiqen si profetë, por që janë profetët e gabuar! Mbroni njëri-tjetrin nga dhuna!
Ka ardhur koha për një manifest fetar, që i çliron komunitetet fetare nga imazhi negativ. Miliona besimtarë e bëjnë këtë ndërkohë. Ata e praktikojnë dashurinë për tjetrin, mirësinë, punojnë për paqen dhe pajtimin, ata angazhohen për të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e krijimit, duke e paguar këtë edhe me jetën.
Në kërkim të Zotit
Feja është fakt, të cilin nuk mund ta injorosh. 8 nga 10 vetë në botë i përkasin një besimi fetar, sipas të dhënave të Ministrisë Gjermane për Bashkëpunimin Ekonomik e Zhvillimin. Kërkimi i Zotin+t, i kuptimin të jetës dhe transcendencës është pjesë e qenies njerëzore.
E pranoj, nuk është e lehtë puna me fenë: Në kohën e sulmeve terroriste, atentateve kamikaze, keqpërdorimin e fëmijëve për luftën, në kohën e budistëve radikalë që përndjekin Rohingyarët myslimanë, të milicëve të Hizbollhahut e brigadave të Hamasit, të Boko-Haramit e milicëve terroristë të Al-Kaidas, të duket se feja është më shumë luftënxitëse se paqedashëse.
Por radikalizimin fetar nuk mund ta ndalin ateistët e humanistët, por vetëm liderët fetarë. Kjo po ndodh aktualisht. Nëse i beson një studimi të Institutit të njohur për Paqe dhe Studimet e Sigurisë – “Institute for Peace and Security Studies” (IPPS) nga Adis Abeba, veçanërisht në Egjipt, lëvizje të ndryshme islame punojnë për revizionimin e doktrinës së xhihadit që nga vitet 90-të.
Keqpërdorimi i fesë
Mes tyre bën pjesë edhe ish-xhihadisti i njohur në Egjipt, Nageh Ibrahim. “IS-i e ka dëmtuar islamin dhe myslimanët më shumë se sa perëndimi”, është bindja e tij. Sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork dhe ato të 13 nëntorit 2015 në Paris i kanë përfshirë myslimanët në një luftë kundër Perëndimit, luftë, të cilën ata nuk e donin”, kjo është teza e Nageh Ibrahimit.
Duhet kujtuar se organizata terroriste si IS-i e AL Kaida janë forcuar fillimisht përmes sulmeve të perëndimit. Talibanët u mbështetën fillimisht nga SHBA në luftë kundër trupave sovjetike. Edhe IS-i u ngrit nga shpërbërja e trupave irakiane pas rrëzimit të Sadam Huseinit në vitin 2003.
Terrori fundamentalist i kërcënon të gjithë besimitarët, pavarësisht se çfarë feje i përkasin. Por nëse ata bashkohen, ndikimi i tij shuhet. Pas sulmeve të fundit ndaj kishave kopte në Egjipt, shumë komunitete myslimane bën thirrje në Tanta e Aleksandri për të dhuruar gjak për viktimat. Islamofobia, që e ngrenë aq lart islamistët, ka pamje tjetër.
Pajtim në Nigeri
Edhe në Nigeri, ku Boko Haram hedh bomba në kisha e xhami, rrëmben nxënëse shkollash, myslimanët e të krishterët po bashkohen. Dialogu fetar udhëhiqet nga ipeshkvi Ignatius Kaigama, kryetar i Konferencës së Ipeshkëve dhe emirit të Kanamit, Muhammadu Mohammed Muazu.
Ka ardhur koha për diferencim e kërkim të vlerave të përbashkëta. Sepse pas konflikteve në dukje fetare, fshihen në shumicën e rasteve luftëra për pushtet dhe mungesa e perspektivës ekonomike. Vetëm dialogu fetar mund të ndalë terrorizmin e të sjellë paqen. Kjo nuk është një dëshirë përulësie, këtë e tregojnë shumë iniciativa, që e përmbushin këtë mision në shumë projekte të vogla, jashtë vëmendjes mediatike.
Pse të mos mendojmë në Festën e Pashkëve, festën e ringjalljes së Jezu Krishtit e jetës së përjetshme, për të gjithë ata paqedashës, që e gjejnë fuqinë tek besimi. Më shumë admirim duhet të tregojmë për njerëz si ipeshkvi Kaigama dhe emiri i Kanamit, si nobelistët, ipeshkvi Desmond Tutu si myslimanja praktikuese, Malala Youfsafzai. Ata kanë treguar se mund të triumfohet mbi vdekjen e terrorin – me ndihmën e besimit, e jo kundër tij.