Thellimi i përçarjes mes udhëheqësve të shtetit ka përshkallëzuar në banalizim të diskursit. Kryeministri Haradinaj, i cili ka ftohur marrëdhëniet me kryeparlamentarin Veseli dhe presidentin Thaçi, që po synon t’ia korrigjojë kufijtë shtetit që drejton, nga salla e Kuvendit ka përdorur fjalën “qenef”.
E Veseli, nga i njëjti vend, ia ka përmendur kryeministrit zgjedhjet e parakohshme. Lëvizja Vetëvendosje nuk ishte në sallë kur u intonua himni i Kosovës. Lista Serbe e bojkotoi krejt atë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Forca e Sigurisë e Kosovës për herë të parë është prezantuar me mandat të ri, por nuk ka pasur parakalim të mjeteve ushtarake. Në sheshin “Adem Jashari”, që e mban edhe simbolin e “Vëllazërim-Bashkimit”, ishte ngritur tenda për prodhuesit vendorë.
Atyre u është premtuar fuqizim, pas vendosjes së taksës për mallrat serbe. Por produktet kryesore kanë qenë specat turshi dhe specialitetet nga brumërat. Ceremonia, për të cilën u ndanë 500 mijë euro, kulmoi me një koncert playback.
Në skenën e njëjtë, ku kishte performuar para një viti Rita Ora, organizatori tani kishte kontraktuar “artistë”, të cilët promovojnë seksizmin, drogën e alkoolin.