Festimet në natën e ndërrimit të moteve ishin në përgjithësi të qeta. Kryesisht u festua me fishekzjarre.
Sivjet gjatë festimeve pati më pak të lënduar. Por, në disa raste këto festime eskaluan paksa, duke u përdorë edhe armët e zjarrit. Në këto raste rreziku është goxha i madh, nga këto gjuajtje.
Qarkullimi i plumbave “qorr”, mund të rrezikojë qytetarët edhe në shtëpitë e tyre.
E një nga ta ka depërtuar edhe në shtëpinë e familjes Mehmeti, në lagjen e Muhaxherëve
Valon Mehmeti ka thënë për KlanKosova se plumbi është gjetur sot në mëngjes brenda shtëpisë.
“Sot në mëngjes duke kontrolluar në shtëpi, e kemi gjetur plumbin brenda. Dmth plumbi e ka thyer xhamin dhe plastikën e xhamit dhe ka depërtuar brenda. Të lënduar nuk ka, mirëpo ka mundur të jetë rrezik sepse aty është kuzhina, dhe gjatë festimeve ka pasur edhe fëmijë që kanë lëvizur andej”- tha Mehmeti.
Në jo pak raste si pasojë e plumbave “qorr”, shumë njerëz kanë përfunduar të lënduar, dhe gati çdo vit ka pasur edhe viktima.