Edicioni i parë i “Festivalit të Këngës së RTK-së”, do të mbahet për herë të parë në Prishtinë. Ky Festival është bërë i mundur falë një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me Radio Televizionin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Në skenën e festivalit do të performojnë 18 artistë të rinj dhe me karrierë, këngë të përzgjedhura nga juria, të vlerësuara për diversitetin e zhanreve të tyre. Orkestra që do të jetë me afër 50 persona, e do të përbëhet nga instrumentistët më të mirë në Kosovë. Tri netët Live të Festivalit të Këngës në RTK do të zhvillohen në datat 26, 27 dhe 28 tetor.
Drejtori i Festivalit të Këngës në RTK, Adi Krasta uroi që të zgjas për shumë vjet ky organizim. Drejtori tutje ka dhënë detaje të Sallës, e cila dikur nga destinimi i një hapësire të braktisur dhe të djegur, tashmë është shndërruar në adresë fizike për tre netët e festivalit.
“Unë dua të besoj që Festivali do të zgjas, që atë ta shohin edhe fëmijët që s’kanë lindur akoma. Festivali t’i takoj jetës kulturore të Kosovës, që çdo fund tetori të jetë një gëzim për qytetin”.
“Në sallë kanë ndodhur ndryshime esenciale, kanë dal më shumë se 110 kamiona me bërllok. Shkallët e Pallatit janë larë me ujë me presion për tre ditë rresht dhe bloza që është nxjerrë nga andej tregonte se çka i ndodhur kësaj salle 20 vjet më parë. Ne kemi marrë të gjitha masat që salla të jetë e sigurt, është ndërtuar një skenë e rëndësishme”.
Krasta ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj menaxhmentit të RTK-së, për të cilët tha se e kanë ndjerë Festivalin e Këngës po njësoj sikurse ai vet.
Ai e ka çmuar këtë Festival si ngjarjen më të rëndësishme e karrierës së tij, teksa ka shtuar se netët e festivalit do të transmetohet në Radio Televizionin e Kosovës, Radio Televizionin e Shqipërisë dhe Radio Televizionin e Maqedonisë së Veriut.
“Radio Televizioni i Kosovës po ndërmerr një hap shumë të rëndësishëm, drejtori i përgjithshëm Shkumbin Ahmetxhekaj dhe kolegët e tjerë e kanë marrë festivalin me shumë pasion, ata e kanë parë me të njëjtin këndvështrim siç e kam marrë unë. Ka qenë e pamundur për grupin që po punon, ta bëjë Festivalin pavarësisht nga dëshira jonë, nëse struktura menaxhuese nuk do ta ndjenin këtë festival me të njëjtin këndvështrim dhe pasion. Puna jonë ende s’ka filluar”.
Drejtori artistik i Festivalit të Këngës, Florent Boshnjaku, tha për këtë festë kanë punuar një “ushtri artistike”. Nëpërmjet këtij Festivali, ai shtoi se jepet edhe një herë mesazhi urgjent për ndërtimin e një salle koncertale në Prishtinë.
“Vet fjala Festival është festë, e kemi cekur nga momenti i parë kur jam bërë pjesë. Është me të vërtetë një sipërmarrje e madhe që kanë punuar. Personalisht e kam kërkuar qe sa vite me u mbajt ky festival sepse Kosova ka vite që s’ka diçka të tillë. Duhet me ardh edhe një moment tjetër që jo veç platforma e ‘Euro Song’ por edhe platformat tjera muzikore të cilat munden me u ndërlidh me Festivalin, munden me u përdor në të ardhmen edhe për këngëtarë që janë brenda tregut muzikor, por sidomos për këngëtarët e rinj, që në të ardhmen ta zhvillojnë një bashkëpunim më të madh”.
“Kemi punuar mjaftueshëm që të sjellim një punë cilësore, është një ekip e madhe prapa Festivalit, është një ushtri artistike për çdo punë që po bëhet nga RTK. Pritshmëria e të gjithëve mund të jetë e lartë ose jo, por vet fakti që ne po e fillojmë në një sallë e cila ka qenë e djegur qesa vite, mendoj se ky është një alarm që Prishtinës i duhet një sallë për ngjarje të tilla të mëdha. Shpresoj që edhe ky Festival të jetë një nismë për sallën koncertale të Prishtinës”.
Prezantuesja e njërës prej netëve të Festivalit, këngëtarja Anjeza Shahini në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Londra ka thënë se ky është moment i rëndësishëm për muzikën shqiptare.
“Ndjehem e nderuar që marrë pjesë sado pak në këtë Festival historik, i cili do të jetë jo vetëm shumë i rëndësishëm për muzikën shqiptare të Kosovës e të Shqipërisë, por edhe për publikon që uroj ta bëjnë pjesë të kalendarit çdo tetor ta gëzojë sa më shumë me art e muzikë”.
Besim Dina, prezantuesi kryesor në krahë të Adi Krastës, tha se do ta demantojnë faktin se shqiptari i Kosovës dhe ai Shqipërisë nuk munden me bashkëpunuar.
“Me Adi Krastën kemi me vërtetuar dhe demantuar që shqiptari i Kosovës me shqiptarin e Shqipërisë nuk munden me bashkëpunuar”.
Këngëtarja e aktorja Edona Reshitaj e cila është prezantuesja e natës së tretë ka thënë edicioni i parë do të hyj në histori.
“Festivalet e para gjithmonë mbeten përpjekjet më të guximshme dhe të rëndësishme të krijimeve artistike të një vendi. Uroj që festivali të ketë shumë vite, por festivali i parë ka me mbet historik dhe kjo na bën secilin me u ndje shumë krenar”.