Është mbajtur edicioni i radhës i Festivalit të Teknologjisë, DOKU.TECH 2025, ngjarje që këtë vit zhvillohet në kuadër të nismës qeveritare “October Tech Kosova”, raporton Ekonomia Online.
Festivali, që ka mbledhur ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, synon të krijojë një hapësirë diskutimi për zhvillimet më të fundit në fushën e teknologjisë, inovacionit dhe kreativitetit.
Presidentja Vjosa Osmani, përmes një adresimi me video, theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje dhe rolin e brezit të ri në ndërtimin e një të ardhmeje digjitale për vendin duke thënë se përmes dijes dhe inovacionit Kosova mund të lë gjurmë nëpër botë.
“Çdo vit, ngjarjet si DOKU.TECH na kujtojnë se teknologjia është mbi të gjitha për njerëzit. Të rinjtë e të rejat që ëndërrojnë dhe që guxojnë të thyejnë barriera, që mësojnë dhe besojnë se përmes dijes dhe inovacionit Kosova mund të lë gjurmë nëpër botë. Ashtu si në të kaluarën, populli ynë ka dëshmuar se nuk i frikësohet së ardhmes, por e formëson atë, me punë dhe përkushtim. Sot nga qendrat tona të inovacionit, nga startup-et anë e kënd vendit tonë, nga mendjet e ndritura që punojnë për kompanitë ndërkombëtare, Kosova po dëshmon që energjia dhe talenti i këtij populli nuk njeh kufij,” tha Presidentja Osmani.
Këshilltari i Kryeministrit për teknologjinë e informacionit, Lulzon Jagxhiu, tha se DocuTech mbetet një platformë e rëndësishme që rikujton lidhjen e ngushtë mes teknologjisë dhe njerëzimit.
“DocuTech vazhdon të na kujtojë se teknologjia nuk ka të bëjë vetëm me makinat dhe algoritmet. Ajo ka të bëjë me njerëzit, imagjinatën dhe vlerat. Kjo është një hapësirë ku shkojmë përtej pyetjes se çfarë mund të bëjë teknologjia, ndërsa kërkojmë edhe përgjigje për atë se çfarë lloj shoqërie mund të na ndihmojë të bëjmë gjëra të mira. Ekosistemi teknologjik i Kosovës është një nga shembujt më të mirë se sa larg kemi arritur. Tashmë kemi mbi 2,000 kompani të TIK-ut në vend, dhe shumica dërrmuese e tyre eksportojnë shërbimet e tyre nëpër Evropë dhe më gjerë. Eksportet e shërbimeve të TIK-ut janë rritur me 385% gjatë katër viteve të fundit, dhe së bashku me shërbimet profesionale dhe mbështetëse, ky sektor kontribuon rreth 6% të BPV-së sonë dhe punëson 50% të fuqisë sonë punëtore. Këto arritje nuk janë vetëm numra. Ato tregojnë se si ekonomia e Kosovës po zhvendoset drejt dijes, kreativitetit dhe konkurrueshmërisë,” tha ai.
Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, theksoi se kryeqyteti tashmë po udhëheq në rajon me projekte të avancuara të qytetit inteligjent.
“Prishtina ka qenë gjithmonë një qytet idesh, një vend që i shndërron sfidat në mundësi. Dhe sot, mblidhemi me krenari, sepse Prishtina është qyteti i parë në rajon që ka instaluar një infrastrukturë të plotë të qytetit inteligjent. Pra, jemi gati. Kjo arritje nuk është vetëm teknologjike, por edhe transformuese. Ajo shënon një epokë të re të qeverisjes, ku të dhënat, sensorët dhe sistemet inteligjente punojnë krah për krah me kreativitetin njerëzor dhe pjesëmarrjen qytetare për ta bërë qytetin tonë më të jetueshëm, më efikas dhe, padyshim, më të qëndrueshëm,” tha ai.
Gjatë dy ditëve të festivalit, më 23 dhe 24 tetor, DOKU.TECH do të zhvillojë një program të pasur aktivitetesh, përfshirë:
• Fjalime kryesore nga Edi Demaj dhe Christopher Petrillo, të cilët do të trajtojnë temat më aktuale të teknologjisë dhe ndikimin e saj global;
• Masterclass DIY, që do t’u japë mundësinë pjesëmarrësve të përfshihen në aktivitete kreative dhe edukative;
• Panel diskutimi me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë mbi sfidat dhe mundësitë që teknologjia ofron për Kosovën dhe rajonin;
• Si dhe një Cyber Exercise, një simulim interaktiv që synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe përgatitjen ndaj sigurisë kibernetike
