Federata e Futbollit e Kosovës, me në krye presidentin Agim Ademi, kanë dalë në konferencë për shtyp për të sqaruar akuzat e Sahit Kelmendit, ish futbollist i mirënjohur i Prishtinës dhe mik i ngushtë i Fadil Vokrrit.
Agim Ademi u akuzua pikërisht nga Kelmendi se ka larguar nga puna djalin e legjendës, Gramoz Vokrri.
Verzion krejt tjetër është dhënë në konferencën e sotme. Sipas Agim Ademit dhe zëvendës sekretarit të përgjithshëm, Arianit Ahmeti, Gramozit i janë ofruar pesë pozita.
“Gramozi ka qenë fillimisht i punësuar. E kemi këtu një kontratë të cilën e ka pranuar, është fjala për pozitën Drejtor për Marrëdhënie me Jashtë. Gramozi ka disa ditë që nuk ka ardhur në federatë, më pak se një muaj. Faktikisht ky është posti i tretë më i madh në FFK. Atij i është dukur se nuk i përshtate ky post”, deklaroi Ademi, raporton Gazeta Olle.
Ndërkohë, Arianit Ahmeti, ka shtuar edhe më tutje sqarimin.
“Gramozit i janë ofruar pesë poste. Ka kërkuar që titulli i pozitës së tij të jetë Drejtor Gjeneral, të cilën e ka gjetur në organoprogramin e Federatës së Futbollit të Francës, por të cilën ne nuk e kemi. Për hir të korrektësisë, Sahit KElmendin e kam familjar dhe ato akuza nuk qëndrojnë. Pikërisht Sahiti ka qenë me mua dhe persona të tjerë të afërm të Gramozit”, theksoi Ahmeti.
Pozitat tjera të ofruara për Gramozin sipas drejtuesve të FFK-s, janë drejtor i eventeve, drejtor i Regjioneve, Drejtor i Marketingut dhe Drejtor i Garave.