Federata e Futbollit e Kosovës ka injoruar pakënaqësitë e shumta të qytetarëve për biletat për ndeshjen Kosova – Malta. Në vend të reagimit për kaosin e shkaktuar, FFK-ja ka njoftuar për rregullat dhe kriteret që duhet respektuar nga ata që kanë blerë biletat.
FFK ka njoftuar se stadiumi “Fadil Vokrri” të enjten hapet në orën 18:00.
“Asnjë person, përfshirë edhe fëmijët pavarësisht moshës, nuk do të lejohen të hyjnë në zonën e stadiumit pa biletë. Në hyrjet e stadiumit si dhe brenda stadiumit do të aplikohen masa të rrepta kontrolli prandaj luten të gjithë qytetarët që të lexojnë me kujdes rregullat e mëposhtme dhe t’i respektojnë kërkesat. Qytetarët të cilën nuk i përfillin rregullat e sigurisë mund të jenë subjekt për ndëshkim nga organet ligjore”, thuhet në njoftim të FFK-së.
Këto janë rregullat:
1. Dyert e stadiumit hapen në ora 18:00.
2. Luten qytetaret që të vijnë me kohë ne stadium, duke filluar nga ora 18:00 për të shmangur tollovinë.
3. Nuk shiten bileta në zonën e stadiumit. Qytetarët të cilët nuk kanë biletë luten të mos vijnë në zonën e stadiumit sepse shkaktojnë tollovi. Qytetarët pa biletë do të largohen nga policia.
4. Nuk lejohet hyrja pa biletë. Një bilete një person. Asnjë person, pavarësisht moshës, nuk do të lejohet të hyjë në stadium pa biletë. Kjo vlen edhe për fëmijët.
5. Gjërat qe nuk lejohen në stadium do të konfiskohen në hyrje. Gjërat e palejuara përfshijnë:
– Mjetet piroteknike
– Shishet e qelqit pavarësisht madhësisë
– Shishet e plastikës pavarësisht madhësisë
– Pijet alkoolike dhe substancat narkotike
– Ushqim i çfarëdo lloji (përveç ushqimit te fëmijëve 24 muajsh) si fara, çipsi, smoki, kikirikë, lajthi, badem, etj.
– Ombrella
– Armë zjarri ose armë të ftohta apo cfarë do mjeti tjetër që mund të përdoret si armë
– Sende të rënda (çanta shpine, karrige të palosshme, etj) etj.
– Kamera profesionale dhe video kamera
– Pajisjet elektronike, mekanike ose manuale, që prodhojnë zhurmë, si megafonë, bori ose vuvuzelë
– Materialet promovuese ose komerciale
– Çdo material promovues racist, ksenofobik, politik, fetar
6. Qytetarët njoftohen që, për arsye të sigurisë, nuk lejohet bllokimi i rrugëve të evakuimit në tribuna. Prandaj, ulja në shkallët e stadiumit është rreptësisht e ndaluar.