Klube të një niveli më të lartë të Serbisë do të luajnë në edicionin e ardhshëm në territorin e Kosovës, ndërsa Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk i ka ikur rutinës. Pasi një klub i futbollit nga Mitrovica e Veriut ka kaluar një ligë më lart, përkatësisht në Ligën serbe (Srpska Liga), FFK-ja ka dalë me një komunikatë, përmes së cilës ka reaguar ashpër për “ndeshjet ilegale dhe improvizimin e garave në territorin e Kosovës nga struktura ilegale në veri të vendit”.
Në të vërtetë FFK-ja, federata të tjera sportive dhe organe sportive të vendit, lëshimin e komunikatave e kanë “armën” e vetme për të “luftuar” aktivitetet e federatave sportive të Serbisë në territorin e Kosovës. Kjo mënyrë reagimi nuk ka pasur ndonjë efekt deri më tash, por në Federatë arsyetohen se është gjëja e vetme që mund të bëjnë, shkruan sot Koha Ditore.
Ende ka sfida të shumta për shtrirje të autoritetit shtetëror në gjithë territorin e vendit, përkatësisht në pjesën veriore, që kufizohet me Serbinë. Por edhe institucionet ndërkombëtare sportive kanë hezituar që të marrin veprime konkrete, me ndonjë përjashtim të rastit, për të stopuar aktivitetet e federatave të Serbisë brenda territorit të Kosovës.