FFK-ja kërkon që garat serbe të futbollit në Kosovë të ndërpriten me forcë

Prishtinë | 31 Kor 2019 | 09:30 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e ka paralajmëruar të ashtuquajturin klubin serb “Trepça” në Mitrovicën e Veriut, se do t’iu kërkojë shtëpive botërore dhe evropiane të futbollit, FIFA-s dhe UEFA-s, si dhe autoriteteve të sigurisë në vend t’ia parandalojnë atij zhvillimin e ndeshjeve në territorin e Kosovës.

Në njoftimin për media të FFK-së, tregohet se Komiteti Ekzekutiv i kësaj Federate ka mbajtur sot mbledhjen e vet të radhës, të cilës i ka prirë kryetari Agim Ademi.

“KE në fillim, shqyrtoi dhe analizoi situatën rreth klubit ë të ashtuquajtur klub i futbollit ‘Trepça’ nga Mitrovica e Veriut, në Divizionin e tretë të Republikës së Serbisë, ndaj për KE-në kjo është e papranueshme, sepse vetëm FFK-ja ka të drejtë që në territorin e Republikës së Kosovës të organizojë garat e futbollit. FFK-ja gjithmonë ka qenë e gatshme të pranojë klubet e minoriteteve në sistemin e saj garues, andaj përpjekjet e Serbisë për të ndërhyrë në sistemin garues të Kosovës, jo vetëm që janë të papranueshme, por FFK-ja do të kërkojë me forcë nga UEFA, FIFA, Ministria e Sportit dhe Policia që të përdorin autoritetin e tyre, që të parandalojnë këto veprime të Serbisë dhe duke i kërkuar Federatës serbe që të ndalojë këto tentime të ndërhyrjes në sistemin garues të Kosovës”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

“Në të njëjtën kohë KE inkurajon komunitetin serb që përmes klubeve të veta të bëhen pjesë e garave të Kosovës sepse kjo do t’u ndihmojë atyre në integrimin e gjithëmbarshëm në shoqërinë kosovare. KE pati një diskutim të gjerë rreth sistemit të garave për të gjitha rangjet dhe me një pajtueshmëri miratoi sistemin e garave për të gjitha rangjet garuese”, thuhet më tej.

Tutje në njoftim, thuhet se KE shqyrtoi Rregulloren e garave në futbollin e Kosovës dhe pas diskutimeve e miratoi këtë Rregullore.

“KE emëroi dhe riformatizoi të gjitha Komisionet relevante të FFK-së. Në fund KE shqyrtoi edhe kërkesat dhe parashtresat drejtuar këtij organi si dhe Projektet zhvillimore infrastrukturore të FFK-së”, thuhet në njoftim.

Image
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme