Biletat për ndeshjen e dytë të përfaqësueses së Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të dalin në shitje të shtunën.
Si çmimi ashtu edhe pikat e shitjes do të jenë të njëjta si për ndeshjen e parë që Kosova e luajti në Prishtinë, atë kundër Ishujve Faroe, kur fitoi 2:0. Por ajo që Federata e Futbollit shpreson të ndryshojë nga ndeshja e parë është mënyra e shitjes së tyre, shkruan sot Koha Ditore.
Për ndeshjen kundër Ishujve Faroe biletat u shitën brenda pak orëve dhe pati akuza të shumta se ato përfunduan në tregun e zi, gjë që edhe doli e vërtetë. Tifozët nuk e patën të kufizuar blerjen e biletave dhe kjo la shumë të tjerë pa biletat që i donin.
Biletat edhe kësaj here do të kushtojnë nga 2 euro për tribunat në veri dhe jug, pastaj 3 euro për tribunën në lindje dhe 5 e 10 euro për tribunën në perëndim. Biletat VIP do të kushtojnë nga 50 euro.
Ndeshja Kosova – Malta do të zhvillohet më 11 tetor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe është e treta në kuadër të Ligës D – Grupi 3 të Ligës së Kombeve. Kosova është lidere e grupit me katër pikë.