Shprehja e pakënaqësisë nga disa klube të Superligës rreth ndarjes së drejtësisë nëpër ndeshje, për Federatën e Futbollit të Kosovës nuk ka të bëjë me referët. Zyrtarë të saj thonë se klubet duan diçka që nuk u takon: t’i rrëzojnë organet udhëheqëse të Federatës.
Kampioni, Feronikeli, pretendenti për titull Llapi dhe ekipi befasues i këtij stinori, Ballkani, kanë dalë me një ide për formimin e një drejtorie të Superligës, e cila do të organizonte garën elitare, njësojë siç është në Spanjë, Itali, Francë, Gjermani, Angli e shumë vende të tjera, shkruan sot Koha Ditore.
Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, thotë se nuk ka asgjë kundër kësaj ideje, por ka një pyetje: a mund t’ia dalin? “Për ne nuk është problem, vetëm sa na hiqet një barrë. Por dyshoj se klubet mund ta organizojnë vetë garën, teksa shohim se një ndeshje po e kanë të vështirë ta organizojnë. Është përgjegjësi e madhe. Ne u kemi thënë dhe po deshën klubet, nga sezoni i ardhshëm le të marrin përgjegjësinë”, ka thënë Salihu.
Por ai është i bindur se klubet nuk e duan këtë. Sipas tij, klubet me këtë fushatë kundër referëve dhe Federatës, duan të largojnë jashtëligjshëm njerëzit që udhëheqin me organizatën.
“Ata duan t’i bëjnë presion kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, që është duke e bërë një punë të mirë. Për këtë janë Kuvendi dhe KE-ja e Federatës, pasi këta persona nuk janë faktorë dhe nuk mund të bëjnë çfarë të duan. Synimi i tyre është që nëpërmjet referimit ta fajësojnë federatën, pasi problemin e gjykimit po duan ta lidhin me punën e federatës. Referimi është çështje aktuale në mbarë botën dhe shihet haptazi që ata (klubet v.j.) kanë qëllime të tjera”, tha Salihu. “Më vjen shumë keq që një kampionat të shkëlqyer po duan ta prishin disa donatorë që dështimet duan t’i arsyetojnë me akuza të tilla”.
I pari që reagoi ishte presidenti i Feronikelit, Naser Ramaj, megjithëse ekipi i tij triumfoi 1:0 në udhëtim ndaj Vushtrrisë. Ai tha se ekipi i tij, dëmet më të mëdha këtë edicion i ka nga arbitrat, derisa fajësoi FFK-në për një gjë të tillë.