Federata e Futbollit të Kosovës ka thënë se ndeshja e Prishtinës me Lincoln Red Imps në fazën parakualifikuese të Ligës së Evropës, është dashur të zhvillohej edhe pse tetë futbollistë të klubit kosovar rezultuan pozitivë në testet për koronavirus. Në një reagim, FFK-ja ka kritikuar edhe UEFA-n për moslicencim të asnjë laboratori për kryerjen e testeve për COVID-19 në Kosovë.
Në njoftimin e FFK-së theksohet se Prishtina ishte e gatshme për lojë dhe kishte lojtarët e mjaftueshëm në dispozicion, në përputhje me rregulloren e UEFA-s për ndeshjet gjatë pandemisë. Megjithatë, sipas njoftimit, autoritetet e Gjibraltarit pamundësuan zhvillimin e ndeshjes, që më pas u pezullua.
“FFK konsideron që kjo ndeshje është dashur të luhet dhe do t’i qëndrojë përkrah klubit të Prishtinës që vendimi i UEFA-s të jetë i drejtë dhe i arsyeshëm dhe të mos jetë në dëm të klubit tonë”, thuhet në reagimin e FFK-së.
Kjo federatë tutje ka thënë se “ne, si federatë dhe klubet tona jemi në situatë të palakmueshme, duke pasur parasysh faktin se UEFA nuk e ka licencuar asnjë laborator për kryerjen e testeve për Covid-19 në Kosovë, teksa në vendet fqinje ku janë të licencuar laboratorët e tillë nuk është e mundshme lëvizja për shkak të mbylljes së kufijve”.
“Po ashtu, është e çuditshme se si rezultuan 8 futbollistë pozitivë, kur para nisjes për në Gjibraltar në testet e kryera nga IKSHPK të gjithë futbollistët kanë rezultuar negativë. FFK shpreson që kësaj radhe organet e UEFA-s do të jenë më vigjilente dhe do ta kenë parasysh situatën në të cilën ndodhemi në pandemi dhe në fund do të marrin vendim të merituar, duke pasur parasysh se FC Prishtina ishte pro zhvillimit të ndeshjes dhe kishte numër të mjaftueshëm të futbollistëve të gatshëm për lojë”, thuhet në fund të reagimit të FFK-së.
Para Prishtinës, për shkak të rasteve me koronavirus pësoi edhe kampioni i Kosovës, Drita. Ndeshja e saj ndaj Linfieldit në finalen e fazës parakualifikuese në Ligën e Kampionëve u humb nga kosovarët me rezultat zyrtar (3:0), pasi disa futbollistë i rezultuan pozitivë në testet për COVID-19.