Me rastin e komunikimit të vendimit të sotëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi është dënuar me nentë muaj burgim, proces ky i nisur qysh në vitin 2012, sot pasdite Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, nën drejtimin e presidentit Ademi ka mbajtur një takim.
Me këtë rast, presidenti Ademi para anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv ka thënë se komunikimin e vendimit të sotëm e konsideron të padrejtë dhe të pabazuar, sepse nuk e ndjen veten fajtor.
Sipas njoftimit të Federatës së Futbollit do të vazhdojë t’i ndjekë deri në fund të gjitha procedurat ligjore – ankimore, të cilat janë të parapara me ligjet e vendit, jo për ta mbrojtur postin por për ta dëshmuar pafajësinë e tij dhe për ta mbrojtur kredibilitetin e institucionit.
Gjithsesi, presidenti Ademi do t’i respektojë të gjitha vendimet e institucioneve çfarëdo qofshin ato në përfundim.
Presidenti Ademi falënderon të gjithë akterët e futbollit për përkrahjen dhe premton se do të vazhdojë njësojë me punë dhe përkushtim në drejtimin e FFK-së dhe sukseseve të reja, ashtu siç ia garanton Kushtetuta e vendit dhe aktet normative të FFK-së.
Njëkohësisht KE i FFK-së i jep mbështetje të fuqishme presidentit Agim Ademi që të vazhdojmë së bashku me trendin e sukseseve nën drejtimin e tij dhe fton opinionin e gjerë dhe të gjithë dashamirët e futbollit që këtë lajm ta marrin me qetësi dhe maturi.
Komiteti Ekzekutiv i Federatës konsideron se kjo është një tjetër sfidë e radhës, e cila besojmë fuqishëm se do të tejkalohet dhe do të na bëjë edhe më të fortë në realizimin e vizionit dhe objektivave të FFK-së.