Crvena Zvezda do të luajë sonte me Bayern Munchen në xhiron e parë të Ligës së Kampionëve.
Mirëpo, ndeshjen e radhës më 25 shtator planifikon ta luajë në – Mitrovicën e Veriut.
Shorti ka dashur që në kuadër të Kupës së Serbisë, Crvena Zvezda të luajë kundër “Trepçës” nga Mitrovica e Veriut, e cila bën pjesë në ligën e tretë serbe.
Por, Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka thënë për Klan Kosovën se kjo ndeshje nuk mund të luhet në Kosovë.
“S’ka gjasë që Crvena Zvezda të luajë në Kosovë. Ne e kemi dërguar ankesën në UEFA dhe FIFA. Është duke u shqyrtuar lënda. Rasti është goxha i ndjeshëm. Presim ditëve në vazhdim”.
Salihu shtoi se i kanë dërguar informatat edhe kërkesën tek Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës.
Ai tha se nëse Crvena Zvezda lejohet të hyjë në Kosovë, ky do të jetë dështim i organeve të sigurisë.
“I kemi dërguar informatat dhe kërkesën tek Policia e Kosovës dhe Dogana për të mos i lejuar të hyjnë në Kosovë. Nëse hyjnë, ky do të jetë dështim i organeve të sigurisë”