Borxhi i klubit të basketbollit Peja do të rritet me nga pesë mijë franga zvicerane, sa herë që ekipi nuk i përgjigjet afatit të caktuar nga FIBA për shlyerjen e tij.
Pejës para fillimit të këtij edicioni (31 korrik 2017) i janë ndaluar transferimet, pasi është shpallur fajtore për mosshlyerje të borxheve ndaj lojtarëve të huaj që kishte më herët në përbërje, shkruan sot KD.
Aktualisht borxhi i Pejës ndaj lojtarëve, trajnerëve, agjentëve dhe FIBA-s është 160 mijë dollarë amerikanë, e që pritet të rritet me kalimin e kohës, nëse nga klubi nuk shprehin gatishmëri për ta pranuar dhe shlyer qoftë edhe me këste.
Peja nuk i është përgjigjur as paralajmërimit të fundit të FIBA-s. I ishte dhënë afat që deri më 8 janar të arrinte marrëveshje me palët rreth borxheve.
Tribunali i Arbitrazhit të Basketbollit (BAT) ka vendosur për tri raste kundër Pejës, duke u dhënë të drejtë lojtarëve e trajnerëve. Me këtë rast Peja obligohet të përmbushë kontratat që kishte me ta, plus të paguajë shpenzimet e tribunalit dhe interesin, që rritet pas çdo afati të tejkaluar.