FIBA përkrah FBK-në për vendimin për anulimin e garave të Superligës së Meshkujve dhe të Femrave

Prishtinë | 01 Pri 2020 | 12:26 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu sot (e ë) është kontaktuar nëpërmjet telefonit nga Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s, Andreas Zagklis.

Zagklis e ka kontaktuar Fetahun për të pyetur se si po e përballon FBK dhe Kosova situatën me pandeminë COVID-19, si dhe e ka pyetur për stafin e FBK-së, dhe për gjithë komunitetin e basketbollit në vendin tonë.

Gjithashtu njeriu kryesor i basketbollit në botë i ka dhënë përkrahje të plotë numrit një të FBK-së për vendimin e marrë nga Bordi i FBK-së me rastin e anulimit të garave në Superligën e Kosovës dhe Superligën e Meshkujve, duke thënë se është vendim i duhur për situatën në të cilën ndodhemi.

Zagklis i ka premtuar Fetahut se do të vazhdojë të përkrahë fuqishëm FBK-në në avancimin e saj të mëtutjeshëm në të gjitha sferat, si dhe do të ndihmojë FBK-në në periudhën e tranzicionit të saj pas përfundimit të pandemisë COVID-19.

Fetahu e ka falënderuar Sekretarin e Përgjithshëm të FIBA-s për kujdesin e treguar dhe i ka premtuar se FBK do të bëjë më të mirën e saj për të tejkaluar këtë situatë të vështirë dhe se do të vazhdojë të konsultohet me FIBA-n për cdo gjë në të mirë të sportit tonë të zemrës.

Duhet theksuar se në fund të nëntorit të vitit të kalaur me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të FIBA-s, Andreas Zagklis në selinë e FIBA-s në Mies të Zvicrës patën udhëtuar për tu takuar kryetari i FBK-së, Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku.

Në këtë takim përvecse Zagklis i kishte përgëzuar krerët e FBK-së për punën e madhe që po e bëjnë në zhvillimin e basketbollit në Kosovë, ai i kishte premtuar ndihmë në zhvillimin e mëtutjeshëm të FBK-së, por edhe basketbollit në përgjithësi në vendin tonë.

Ndihmat e para tashmë janë nisur, pasi gjatë kësaj jave pritet të arrijë në Prishtinë një terren i lojës 3×3, semafori dhe topat e lojës 3×3.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme