Komiteti i monitorimit për shkeljet e bëra nga Izraeli kundër sportistëve palestinezë i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), theksoi se shkeljet e Izraelit kundrejt sportit dhe sportistëve në Palestinë, shihen si shkelje të ligjeve ndërkombëtare.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Palestinës, Xhibril er-Raxhoub, në konferencë për media tha se “Komiteti i monitorimit të FIFA-s, në raportin të cilin do ta prezantojë në kongres, i dha karton të verdhë Izraelit për një periudhë prej 6 muajsh që të dëshmojë se FIFA ka rregulloren e saj”.
Ai tha se në Raport, shkeljet të cilat vazhdojnë kundër sportit dhe sportistëve në Palestinë nga ana e Izraelit, shihen si shkelje të ligjeve ndërkombëtare të OKB-së dhe sportit.
Raxhoub, potencoi se në rast se Federata e Futbollit të Izraelit vazhdon të bëjë shkelje në këtë drejtim do t’i referohet Bordit të FIFA-s.
“Në rast se konfirmohen shkeljet e Izraelit, propozimet në lidhje me këtë duhen të jenë më serioze dhe të ashpra si përjashtimi i Federatës së Futbollit të Izraelit nga FIFA”, tha Raxhoub duke tërhequr vëmendjen se respektojnë vendimin e komitetit.
Raxhoub, tha se propozimi i Komitetit do të shqyrtohet në axhendën e Kongresit të FIFA më 11 maj dhe do të votohet për të.
“Federata e Shoqatave të Futbollit Palestinez, përsëriti kërkesën e saj që Federata e Izraelit të mos zhvillojë asnjë aktivitet sportiv brenda kufijve të Palestinës në vitin 1967. Gjithashtu, Federata e Palestinës ashtu siç ka të drejtë që të zhvillojë dhe përhap sportin e futbollit, ka të drejtë të zhvillojë aktivitete të sportit jashtë vendit dhe të presë ekipet sportive në vendin e saj”, tha Raxhoub.
Federata e Futbollit të Palestinës, pas angazhimit se do të mbrohen sportistët dhe do t’u lehtësohet lëvizja e tyre, në maj të vitit 2015 tërhoqi kërkesën për “pezullimin e anëtarësimit të Izraelit nga ana e FIFA-s”. FIFA, pas kësaj njoftoi se ka formuar një komitet që do të vëzhgojë shkeljet e Izraelit kundrejt sportistëve palestinez.