FIFA shtyn një tjetër garë për vitin 2021

Prishtinë | 12 Maj 2020 | 14:45 | Nga Ekonomia Online

FIFA e ka konfirmuar se Kupa e Botës për ekipet kombëtare të vajzave U-20 – që fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej në gusht – është shtyrë për në janar të vitit 2021, përderisa e ka konfirmuar shtyrjen edhe të disa garave të tjera.

Gara, e cila do të organizohet bashkërisht nga Kosta Rika dhe Panamaja, ishte planifikuar të fillojë në gusht dhe të përfundojë në shtator, mirëpo ishte shtyrë për 3 prill shkaku i coronavirusit.

FIFA tani ka zbuluar se turneu do të zhvillohet nga 20 janari deri më 6 shkurt, përderisa të njëjtat rregullat për moshën e lojtareve do të jenë të vlefshme sërish.

Grupi Punues për Covid-19 i FIFA-s gjithashtu e konfirmoi se Kupa e Botës për ekipet kombëtare U17 është shtyrë për datat 17 shkurt deri më 7 mars të vitit të ardhshëm.

Në anë tjetër, Kupa e Botës e Futsalit ishte planifikuar gjithashtu të zhvillohet këtë verë në Lituani, por tani është shtyrë për në shtator dhe tetor të vitit 2021.

Organi qeverisës gjithashtu ka lajmëruar se Kongresi i 70-të i FIFA-s, që planifikohej të zhvillohej në Addis Ababa, tani do të mbahet online, më 18 shtator./ge

Të ngjashme