Vepra të cilësuara emblematike të autorëve shqiptarë do të interpretohen sonte në koncertin e Filarmonisë së Kosovës.
Një pjesë e programit që do të prezantohet sonte është prezantuar edhe në Londër, paraqitje e cila sipas drejtorit të Filarmonisë, Baki Jashari, i ka lënë përshtypje të mira publikut londinez, raporton Ekonomia Online.
“Ky koncert është përgatitur disa muaj dhe mund të themi që një pjesë e programit që do të prezantohet sot është prezantu edhe në Londër, ku ne në fillim të muajit të kaluar kemi realizuar një turne koncertal, ku kori i filarmonisë është prezantu në tri koncerte të ndara”.
Ndërsa dirigjenti Rafert Rudi tha se publiku që do ta përcjellë koncertin e Filarmonisë do të mund të dëgjojë një shtrirje historike të veprave.
“Programi i sotëm është sajuar në atë mënyrë që të ketë një prezantim të krijimtarisë së autorëve kosovarë me theks të posaçëm në veprat që ne i konsiderojmë emblematike për muzikën tonë korale por njëkohësisht kanë qenë vepra që i kemi prezantuar në Londër. Është një shtrirje historike e muzikës sonë korale që do ta prezantojmë”.
Filarmonia këtë koncert e realizon në bashkëpunim me Festivalin Remusica.
Sipas Rudit, ky festival por edhe jeta muzikore në Prishtinë viteve të fundit ka shënuar një ngritje të cilësisë, raporton EO.
“Ky bashkëpunim konsiston që filarmonia e realizon programin e tyre vjetor, unë do të kisha thanë që edhe Remusica, edhe festivalet e tjera kanë pasë një ngritje të përgjithshme sikundër edhe jeta muzikore e Prishtinës është në një rritje të hetueshme”.
Koncerti do të mbahet në kishën katolike “Shën Ndou” në Prishtinë me fillim nga ora 20:30.