Rrallëherë ndodh që Filarmonia e Kosovës të sjellë vepra jokonvencionale. Me koncertin e së dielës mbrëma e vuri në pah një anë tjetër të saj. Pjesa e parë u karakterizua me vepra kërkuese si nga ana teknike ashtu edhe ajo muzikore, derisa e dyta erdhi krejt ndryshe.
Kësaj radhe edhe publiku ishte i lirë që t’i bashkohet në interpretim. Por para se të arrinte në atë pjesë, nata filloi me një vepër moderne, të kompozuar nga Biond Krasniqi, shkruan sot “Koha Ditore”. Kjo vepër, e cila titullohet “Kontrastaj”, më vete ngërthen disa rryma muzikore, prej romanikës, impresionizmit e deri te bashkëkohorja.
Karakterizohet nga një motiv i zgjatur, i cili përshkon thuajse tërë veprën nga fillimi deri në fund. Ashtu siç edhe e përshkruan kompozitori i ri kosovar, vepra përcillet me shpërthime të menjëhershme, të cilat më pas kalojnë në qetësi dhe anasjelltas.
“Kontrastaj” është vepra e tij e parë orkestrale e interpretuar nga Filarmonia e Kosovës, derisa një vit më parë disa vepra të tij kamertale dhe koncerte u interpretuan ashtu sikurse tash, në kuadër të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”. Edhe kësaj radhe ai u bë pjesë e “DAM”-it që sivjet shënon edicionin e tij të 13-të dhe koncerti i së dielës ishte në bashkëpunim me Filarmoninë e Kosovës. Dirigjenti amerikan, i cili u rikthye në Prishtinë për të tretën herë, Gregory Charette, e drejtoi koncertin.
Krasniqi, i cili është në vitin e katërt të studimeve, veprën e ka kompozuar para një viti. Është ndarë i kënaqur me punën e orkestrës dhe mënyrën se si ata e kanë sjellë veprën e tij.
Pas veprës së tij në skenë u ngjit pianistja e re kosovare Lisa Sahatçiu, e cila vitin e kaluar mori çmimin “Pianisti i ri”, që automatikisht ia mundësoi një koncert me Filarmoninë e Kosovës në kuadër të “DAM-it”. Ajo solli “Koncert për piano dhe orkestër nr. 2, op. 22” të Camille Saint-Sawns.
Flautistja Enkelejda Zajmi-Gorani solli veprën “Koncert për flaut dhe orkestër op. 39” të Lowell Libermannit. Ky koncert sa romantik po aq edhe dramatik për flaut, është një prej veprave më të rëndësishme të shekullit XX në repertorin e këtij instrumenti.