Filarmonia me vepra premierë që thuren në kontraste

Prishtinë | 26 Nën 2018 | 09:17 | Nga Ekonomia Online

Një vepër që nëpërmjet tingujve sjell dimrin, një që i dedikohet heroit kombëtar, Skënderbeut, e një tjetër që i dedikohet dhimbjes, për t’u përmbyllur me atë që vetëm në titull ka fjalën “tragjike”, kompletojnë programin e larmishëm të koncertit të Filarmonisë së Kosovës.

Të hënën (sonte), në Sallën e Kuqe, publiku kosovar do të ketë rastin të dëgjojë katër vepra të ndryshme të tre kompozitorëve që ende jetojnë dhe një të Johannes Brahmsit. Dy prej tyre janë të kompozitorëve nga Kosova Fahri Beqirit dhe Mendi Mengjiqit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Koncerti do të drejtohet nga dirigjenti kilian i cili jeton në Zvicër, Oscar Rubilar. Ndërsa kompozitorja dhe pianistja franceze, Françoise Choveaux, ka rolin e solistes në këtë mbrëmje. Po ashtu vepra e saj “Simfonia Indigo op. 2” do të hapë koncertin. Ajo do të ngjitet në skenë për të interpretuar një tjetër vepër të saj, “Concerto d’hiver” për piano dhe orkestër.

Në vazhdim do të jetë vepra e Beqirit, “Poema dramatike – ‘Skënderbeu’. Jo rastësisht kjo vepër është pjesë e programit. Me të, institucioni më i lartë muzikor në vend i bashkohet shënimit të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, 550-vjetorin e vdekjes së tij. Arsyeja e dytë është që kompozitori Beqiri këtë vepër e ka kompozuar para 50 vjetëve për 500- vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar. Në pjesën e dytë do të vijë “Dhimbje simfonike” e Mengjiqit, e cila do të luhet premierë. Ndërsa në fund do të luhet vepra “Uvertura tragjike op. 81” e Brahmsit.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari ka thënë se institucioni që ai drejton ka përgatitur një program të veçantë dhe të larmishëm në të njëjtën kohë, me më shumë vepra se zakonisht.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme