Filharmonia e Kosovës do të mbajë një mbrëmje të veçantë koncertale në Oslo, në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Koncerti organizohet nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Norvegji, në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës, duke sjellë para publikut norvegjez një program të përzgjedhur nga mjeshtërit e muzikës klasike, si dhe perla të muzikës shqiptare, njofton KultPlus.
Në skenë do të ngjitet “Reverie Quartet”, i përbërë nga anëtarë të Filharmonisë së Kosovës, së bashku me sopranon Besa Llugiqi.
Koncerti do të mbahet më 5 mars 2026, në ora 18:00, në ambientet e Oslo Konserthus (Lille Sal).
Kjo mbrëmje pritet të jetë një festë e muzikës dhe kulturës së Kosovës në zemër të Oslos, duke forcuar lidhjet kulturore mes dy vendeve dhe duke promovuar artin kosovar në skenën ndërkombëtare.