Filharmonia e Kosovës ka mbajtur konferencë për medie, në lidhje me koncertin e Korit të Filharmonisë – përmbyllës i Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit në Prishtinë.
Drejtori i Filharmonisë, Baki Jashari, tha se tre autorët Ylli Daklani, Memli Kelmendi dhe Artan Hasani do të prezantojnë tri vepra vokale mjaftë interesante.
“Tre autorët do të prezantojnë tri vepra vokale mjaftë interesante. E gjithë kjo do të drejtohet nga dirigjenti i mirënjohur Kushtrim Gashi,” është shprehur Jashari, raporton EkonomiaOnline.
Sipas dirigjentit, Kushtrim Gashi, vepra e Martin Palmer “Misa a buenor aires/misatango” ka sjellur një atmosferë shumë të mirë në kor.
“Kori po e hapë sezonin e ri, dhe jam i privilegjun që jam dirigjent i këtij koncerti. Këtë natë do ta përmbyllim me meshën e Martin Palmer, dhe kjo vepër ka sjellë një atmosferë shumë të mirë në kor. Edhe provat kanë shkuar në nivel të duhur edhe shpresojmë ta japim më të mirën nesë në koncert,” deklaroi Gashi.
Instrumentisti, Elton Balla, tha se kjo vepër është për secilin korist dhe instrumentist.
“Ritmikisht shumë e zhvilluar. Vepër e bukur, dhe stil i bukur. Vepra ka soprano Arta Jasharin, fizarmonikën ku luaj unë. Kjo vepër është solistike për secilin korist dhe instrumentist. Që në provën e parë i kemi përzier shumë mirë emocionet dhe për ta përcjellë në mënyrën sa më të mirë,” vlerësoi Balla.
Të dielën, në orën 20:00, shfaqja pritet të mbledhë adhurues të shumtë në kishën katolike “Shën Ndou”, në Prishtinë.